Kreu i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pasi emri i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, po përmendet nga mediat në Slloveni në kuadër të një skandali të madh financiar në të cilin është i përfshirë edhe politikani slloven Robert Golob.
Lladrovci ka folur për raportet e tij me Berishën dhe për njohurinë që e kanë nga e kaluara në aktivitetet për çlirimin e Kosovës nga Serbia.
Kreu i Drenasit thotë se nëse e gjithë kjo është e vërtetë, atëherë do të jetë një goditje për të gjithë ata që e njohin Berishën.
“E tërë kjo, nëse është e vërtetë, është goditje për të gjithë neve. Është tronditëse. I besuam Martinit dhe e çmuam, si malësor të fjalës e përkushtimit atdhetar, si intelektual dhe kontribuues të madh për shkencën dhe çështjen kombëtare”, ka shkruar Lladrovci.
Dy fjalë për Martinin
Me shqetësim mora vesh nga portalet se miku im Martin Berishaj ka bërë një ndërmjetësim financiar, ndërmjetësim sa i pabesueshëm, aq i dëmshëm.
E njoha nga rinia ime e hershme, në rrethet më të vendosura e më kontribuuese për çlirim, ishte me plotë besim dhe përkushtim për çështjen kombëtare. Ishte pjesë e shumë proceseve pozitive dhe me peshë për luftimin e okupatorit, nga ilegaliteti i hershëm e deri në luftën tonë çlirimtare dhe shtetndërtimin.
E njoha në proceset e rëndësishme për vendin dhe kombin. E njoha në dritën më të mirë.
E tërë kjo, nëse është e vërtetë, është goditje për të gjithë neve. Është tronditëse. I besuam Martinit dhe e çmuam, si malësor të fjalës e përkushtimit atdhetar, si intelektual dhe kontribuues të madh për shkencën dhe çështjen kombëtare.
Uroj sa më shpejtë të dalë në shesh e vërteta!