Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, të hënën ka pritur në takim Drejtorin e shkollës Realschule në Engen të Gjermanisë, Wolfram Vent-Schmit, mësimdhënësen Veronika Eck nga gjimnazi i Engenit, nxënës të kësaj shkolle dhe përfaqësuesen e organizatës gjermane për arsim “Education Unlimited a.V”, Kerstin Zielosko Labonte.
Kryetari Lladrovci, ka falënderuar delegacionin e arsimit nga Gjermania për vizitën që i kanë bërë Komunës së Drenasit dhe shkollave të Drenasit. “Ju falënderoj që nga agjenda juaj, keni gjetur kohën të vizitoni Komunën tonë dhe nxënësit tanë. Ju nxënës, shkëmbeni përvoja me bashkëmoshatarët tuaj për mësimin, krijoni miqësi sepse edhe ne jemi pjesë e Evropës”, ka thënë kryetari Lladrovci para nxënësve të gjimnazit të Engenit. Lladrovci ka shtuar se Komuna e Drenasit është e përkushtuar për rritjen e nivelit të arsimimit, sepse është çelësi i një shtetit të fuqishëm. “Kemi krijuar ura bashkëpunimi me shkollat e juaja, dhe nxënësit tanë sot, komunikojnë pa problem me juve ne gjuhën gjermane. Do të thellojmë bashkëpunimin për shkëmbimin e përvojave mes nxënësve e profesorëve të Drenasit me ato të shkollave gjermane”, ka thënë kryetari Lladrovci.
Drejtori i shkollës “Realschule” të Egenit, Wolfram Vent-Schmit ka falënderuar kryetarin Lladrovci për këtë pritje kaq miqësore dhe vlerësuar se Komuna e Drenasit ka shënuar përparime ne shkëmbimin e përvojave. “Kosova duhet të jetë një hap me Evropën në procesin mësimor. Para 40 vitesh kam qenë në këtë vend dhe këtë regjion dhe jam ndje shumë mirë ne atë vizitë me njerëz aq miqësor, prandaj ju duhet të vazhdoni traditën dhe punën për të zhvilluar vendin”, ka thënë drejtori Vent-Schmit.
Kryetari Lladrovci ka treguar edhe për punën në administratën komunale profesorëve dhe nxënësve nga Gjermania.