Lladrovci vlerëson Shoqatën “Migjeni” në Slloveni

Prishtinë | 19 Dhj 2019 | 13:20 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vizituar Shoqatën “Migjeni” në Lubjanë, Slloveni, dhe me këtë rast, ka vlerësuar lart angazhimin e kësaj shoqate, duke e quajtur “ylli i diasporës shqiptare”.

Lladrovci ka shprehur nderim për këtë shoqatë, duke potencuar se “shoqatat ruajnë kulturën dhe arsimin shqip, përkrahin shtetin dhe kombin me tërë mundësitë, për të ecur përpara me miqësinë e vendeve si Sllovenia, duke sjellë investitorë dhe duke promovuar vlerat e kombit tonë”.

Postimi i kryetarit Lladrovci në rrjetin social Facebook.  

“Kur thuhet Shoqata “Migjeni” në Slloveni, ke thënë liri, atdhetarizëm, ke thënë gjithçka që ruan, kultivon dhe çon përpara interesin e shqiptarëve, ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare.

I falënderoj mikpritësit e mi, për pritjen e përzemërt mbrëmë në shoqatë, njëkohësisht mbeta shumë i emocionuar, sepse kam një histori krenare për ta bërë të ditur.

Përkundër aktiviteteve të atëhershme politike në diasporë në vitet ’90, demonstratave të vazhdueshme dyjavore në Gjenevë dhe pas demonstratës në Kopenhagë, mua më ngarkuan të marr pjesë në kuvendin e Shoqatës “Migjeni” duke përfaqësuar Lëvizjen Popullore të Kosovës. Në këtë Kuvend, kanë qenë të pranishëm personalitete të shquara si Adem Demaçi, Rexhep Qosja e shumë personalitete tjera nga të gjitha trojet etnike.

Gjatë punimeve në Kuvendin e Shoqatës, erdhi z. Pajazit Jashari dhe na njoftoi se me urdhër të Franjo Tugjmanit, u amnistuan të burgosurit e fundit politik shqiptarë nga burgjet e Kroacisë, si pasojë e dënimeve të ish Jugosllavisë.

Këtu, në Shoqatën “Migjeni”, e morëm vesh se atë ditë, ishin liruar Fehmi Lladrovci, Tahir Hani dhe Zaim Beqiri.

Të pranishmëve në Shoqatën “Migjeni”, ju shpreha falënderim të thellë për punën atdhetare për mbi tri decenie, të vërtetës që ata e promovuan në Slloveni dhe kudo në botë se Kosova duhet të jetë e lirë, e pavarur nga Serbia. Kujtojmë këtu me nderim, drejtuesit e “Alternativës” dhe gazetarët e saj që e bëjnë historinë e gazetarisë shqiptare shumë më të begatë.

Sot, shoqatat kanë po aq rëndësi, sepse, ruajnë kulturën dhe arsimin shqip, përkrahin shtetin dhe kombin me tërë mundësitë, për të ecur përpara me miqësinë e vendeve si Sllovenia, duke sjellë investitorë dhe duke promovuar vlerat e kombit tonë.

Respekt dhe nderim i përjetshëm për të gjithë kontribuuesit e Shoqatës “Migjeni”, këtij ylli të diasporës tonë.


Të ngjashme