Llapi thotë se lajmet për kurdisje po bëhen për ta njollosur emrin e klubit

Prishtinë | 24 Shk 2023 | 09:54 | Nga Ekonomia Online

Klubi i Llapit ka reaguar në orët e para të së premtes lidhur me raportimet se është përfshirë në kurdisje ndeshjesh. Klubi nga Podujeva ka thënë se këto po bëhen për ta njollosur emrin e klubit.

Ata kanë kërkuar nga tifozët që të mos bien pre e, siç i quajnë ata, shkrimeve tendencioze dhe qëllimkeqe.

“Kryesia e KF Llapi ka analizuar me vëmendje shkrimet e fundit në portale dhe gazeta të ndryshme në të cilat është përmendur emri i klubit tonë kinse për kurdisje ndeshjesh. Ftojmë gjithë tifozët llapjanë që mos të bien pre e këtyre shkrimeve tendencioze dhe qëllim keqe që kanë për qëllim të njollosin emrin e klubeve të caktuara dhe vetë Superligës. K.F. Llapi ju njofton se nuk ka asnjë informatë të vetme të konfirmuar nga organet e hetuesisë rreth këtyre pretendimeve siq janë publikuara nga portalet dhe gazetat e ndryshme”, thuhet në reagimin e Llapit.

Llapi tutje ka shkruar se si klub nuk kanë shqetësim rreth këtyre pretendimeve.

“Ne si klub nuk kemi as edhe më të voglin shqetësim rreth këtyre pretendimeve të pabaza dhe tendencioze dhe ftojmë edhe tifozët që mos të shqetësohen sepse nuk ka asgjë të vërtetë në këtë drejtim. Jemi të fokusuar 100% vetëm për ndeshjen me Prishtinën dhe nuk ka forcë që na ndal drejt arritjes së objektivave tona”, vijon reagimi i tyre.

Gazeta e madhe franceze, Le Parisien, ka shkruar të enjten mbrëma se Llapi i Podujevës është ekipi i dyshuar për kurdisje të rezultatit të ndeshjeve në Superligën e Kosovës në futboll.

Sipas Le Parisien, rrjeti i të përfshirëve është i madh, ndërsa janë edhe anëtarë të stafit drejtues dhe teknik të Llapit, si dhe disa lojtarë të kësaj skuadre.

FFK-ja ka thënë se nuk është në dijeni për shkrimet në Francë, ndërsa nga MKRS-ja kanë thënë se janë njoftuar dhe se një Këshill kundër Dhunës po merret me rastin.

Të ngjashme