Llapi ka arritur të fitojë me rezultat të ngushtë 2-1 në udhëtim te Trepça ’89 në kuadër të ndeshjes së vlefshme për çerekfinalen e Kupës së Kosovës, duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinale.
Ekipi i Tahir Batatinës ka vazhduar serinë pozitive në Kupë duke marrë edhe një fitore në Mitrovicë dhe duke iu bashkuar në gjysmëfinale Prishtinës dhe Dukagjinit.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë thuajse të barabartë nga të dyja skuadrat, të cilat patën rastet e veta, por vetëm Llapi gjeti rrjetën.
Goli i vetëm nga mysafirët erdhi në minutën e shtatë dhe ishte Ahmed Januzi, i cili shënoi për 0-1.
Në fakt, edhe vendasit shënuan në minutën e 18-të, por goli u anulua për pozitë jashtë loje dhe ekipet shkuan në pushim me epërsi minimale të llapjanëve.
Në pjesën e dytë u zhvillua përsëri gol e barabartë, por më e tensionuar kohë pas kohe nga të dyja skuadrat që patën fërkime, ndërsa nuk munguan kartonët e verdhë, por edhe golat.
Llapi arriti të shënojë në minutën e 51-të me anë të Valmir Veliut, i cili dribloi portierin kundërshtar për 0-2 pas asistimit të Januzit.
Vendasit u kthyen në lojë në minutën e 72-të me anë të Mohamed Darwish që shënoi për 1-2 nga penalltia, por edhe përkundër rasteve tjera shifrat mbeten të pandryshuara dhe Llapi në fund iu gëzua fitores.
Pas kësaj fitore, Llapi i Batatinës e sheh veten në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.