Jack Sweeney, krijuesi i një llogarie që gjurmon avionin privat të Elon Musk në kohë reale, është zhvendosur në rivalin e Mark Zuckerberg në Twitter, Threads, pasi u pezullua nga Twitter vitin e kaluar.
“ElonJet ka mbërritur në Threads!”, shkruhej në postimin e parë të Sweeney të enjten nga llogaria @elonmusksjet, i cili deri në mëngjesin e së shtunës kishte arritur mbi 21,000 ndjekës.
ElonJet ka gjurmuar lëvizjet e avionit privat të Musk duke përdorur të dhënat që janë në dispozicion në domenin publik, raporton Reuters, transmeton Telegrafi.
Në dhjetor, Twitter Inc, në pronësi të Musk, pezulloi llogarinë e ElonJet, me miliarderin që kërcënoi me veprime ligjore kundër operatorit të llogarisë pasi tha se djali i tij ishte ndjekur gabimisht nga një “përndjekës i çmendur”.