Ylli i Atletico Madridit, Marcos Llorente do të ketë një rol të ri te Spanja në ndeshjen kundër Kosovës në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
Mediumet spanjolle kanë raportuar të martën se Llorente do të aktivizohet si mesfushor defensiv për shkak të mungesave të mëdha që i ka përzgjedhësi Luis Enrique në këtë rol. Dueli mes Spanjës dhe Kosovës, do të zhvillohet të mërkurën prej orës 20:45 në “Estadio de La Cartuja” të Sevillas. Llorente në dy ndeshjet e para kualifikuese të këtij muaji, barazimin me Greqinë (1:1) dhe fitoren me Gjeorgjinë (2:1), ka luajtur si mbrojtës i krahut të djathtë, në mungesë të Sergio Robertos dhe Dani Carvajalit.
“Llorente ishte titullar ndaj Greqisë në krahun e djathtë, dhe ndaj Gjeorgjisë e zëvendësoi Pedro Porron kurse me Kosovën, ai do të luajë në rolin e mesfushorit defensiv”, ka raportuar “Marca”.
Llorente te Atletico Madridi luan si mesfushor ofensiv dhe këtë edicion është njëri prej lojtarëve kryesor në ekip pasi ka shënuar dhjetë gola dhe ka bërë nëntë asistime në 36 ndeshje në të gjitha garat.