Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka deklaruar se që nga hyrja në fuqi e Rregullores së re të Bankës Qendrore nuk ka pasur hyrje të valutës së dinarit në kosovë, raporton Ekonomia Online.
Gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur më realizimin e të hyrave për vitin 2023, Llugaliu tha se ka pasur dy tentime për të futur dinarë në Kosovë por që kjo nuk është lejuar.
“Desha të sqarojë çështjen e dinarëve. Në të vërtet, ministri ka kërkuar që në vitin 2021, dhe ne kemi pasur një elaborim të përbashkët me gjitha institucionet përkatëse për të trajtuar aspektet e ligjshmërisë së çështjes së importit të dinarit. Duke përfshirë edhe BQK-në, Policinë, gjitha institucionet e sigurisë, kemi pasur një studim të gjithmbarshëm të çështjes dhe kemi ngritur tek BQK. Rregullorja e re që është sjell nga BQK, ka rregulluar çështjen e bartjes së parasë për të gjithë operatoret, jo vetëm për këtë pjesë. Me rregulloren e re është specifikuar. Tani as një lëvizje dhe nga bankat tjera nuk mund të behet pa prezantuar autorizimin”, ka thënë ai.
Ndërsa deputeti i AAK-së Pal lekaj, tha se çështja e dinarit nuk është dashur të diskutohet në Këshill të Sigurimit. Lekaj, pyeti nëse ka pasur hyrje të dinarit në Kosovë pas këtij vendimi.
“Ajo që më intereson si deputet është se pse ka vazhduar permanent nga të gjitha qeveri që dinari të mirët si valutë në mënyrë jo ligjore. Nuk guxojmë që ta përvetësojmë një rregullore të brendshme dhe çështja të shkoj deri në Këshillë të Sigurimit për diçka që është ligjore. Ne duhet të jemi më të matur sa i përket që problemin e dinarit mos ta shndërrojmë nëpër tavolina as në Bruksel e sidomos në Këshillë të Sigurimit. Pas hyrjes së rregullore së BQK-së a ka pasur hyrje të dinarit”, ka pyetur ai.
Por Llugaliu e pranon se ka pasur tendenca për të sjellë dinarë në Kosovë por që ato tha se janë parandaluar.
“Ka a pasur disa tentime që kanë provuar që të sjellin sërish dinar në procedurën që ka qenë më herët, por normalisht që nuk është lejuar. Dogana e Kosovës kompetencën e menaxhimit të parasë në kufi deri më tash e ka pasur vetëm në sajë të ligjit për parandalimin e pastrimit të parasë…Nuk qëndron që janë importuar dinar në mënyrë ligjore ka pasur hyrje të dinarit…Dy raste që janë paraqitur në pikë kalimin kufitar Jarinje, që janë deklaruar në mënyrë formale si me herët, dhe normalisht i kemi njoftuar që çfarë do importi parasë duhet të bëhet në bazë të rregullores, u shpreh ai.
Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti ka pyetur ministrin e Financave, Hekuran Murati për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me çështjen e dinarit, se pse kjo rregullore nuk ka hyrë në fuqi që nga marrja e mandatit.
“Sa kanë hy në Kosovë, pse nuk është ndalë prej marsit 2021 kur e keni marrë qeverisjen deri në janar 2024, sa kanë hyrë, pse vendose tash ta bëni këtë veprim. Me herët është lejuar të hyjë. Gjatë mandatit tuaj pse është lejuar të hyjë valutë e paautorizuar”, ka pyetur Hoti.
Ministri Murati ka thënë se pasi ai nuk është guvernatori i BQK-së nuk mund ta di dhe se për këtë duhet të pyetet Guvernatori që ka qenë më herët.
“Sepse tash është në fuqi rregullorja e BQK-së, prej datës 1 shkurt…Qysh po shihet është lejuar që prej vitit 2007 një gjë e tillë. Tashmë po zbatohet Rregullorja e BQK-së. Unë s’jam guvernatori i BQK-së, as nuk kam qenë, mund ta pyesni kush ka qenë guvernator me herët”, është përgjigjur Murati.