Lluka: Në Kosovë trajtohen vetëm 2% të ujërave të zeza, kemi mbetur jashtëzakonisht mbrapa në këtë aspekt

Gjakovë | 19 Qer 2018 | 18:09 | Nga Besiana Dauti

Gjatë ceremonisë së vënies të gurthemelit të impiantit për trajtimin e ujërave të ndotura në komunën e Gjakovës, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se Kosova ka mbetur mbrapa me trajtimin e ujërave të zeza.

“Sot në Kosovë trajtohen vetëm diku 2% të ujërave të zeza. Kudo në botë është e kundërta, 98% e trajtojnë dhe 2% mund të humbë. Edhe kjo për ne tregon se kemi mbetur jashtëzakonisht mbrapa në këtë aspekt dhe këto janë hapat e parë që ne duhet ta ndërrojmë këtë kahje”.

Lluka tregoi se me impiant për trajtimin e ujërave të zeza shumë shpejt do të bëhet edhe komuna e Pejës, raporton Ekonomia Online.

“Impianti për trajtimin e ujërave ka filluar në Prizren, tash po fillon në Gjakovë dhe shumë shpejt do të fillojë edhe në Pejë. Të gjitha këto me përkrahjen e qeverisë zvicerane dhe gjermane dhe me këto tre impiante dhe me impiantin që është në proces e sipër në Prishtinë ne presim të trajtojmë diku rreth 60% të ujërave në Kosovë”.

“Sa i përket ujit të pijes, Kosova ka momentalisht rreth 84 përqind të banorëve kanë qasje në ujësjellësat rajonal të ujit dhe kemi diku rreth 7% që janë nëpër fshatra që kanë sistem vetanak të ujësjellësit mirëpo që jemi duke i integruar në sistem të ujësjellësave rajonalë”.

Lluka ka bërë të ditur gjithashtu edhe se MZH ka ndarë një fond prej 10 milionë euro në 3 vitet e ardhshme për integrimin e të gjithë fshatrave në sistemin rajonal të ujësjellësit.

Ismet Ahmeti, drejtor menaxhues i KRU Gjakova, tha se ky investim është një ndër investimet më të mëdha që nga viti 1983.

Ahmeti bëri të ditur se i gjithë projekti kap vlerën 17 milionë euro.

“Implementimi i projektit të ujërave të zeza është një ndër investimet më të mëdha që nga viti 1983 në Gjakovë. Ky investim është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për të gjithë qytetarët e Gjakovës por do të ketë rëndësi edhe për rrethin dhe regjionin në tërësi. Vlera e investimit është 17 milionë. Qeveria zvicerane 8 milionë euro i ka paraparë për KRU Gjakovën, qeveria gjermane 6 milionë, komuna e Gjakovës 3 milion”.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, tha se një ndër sfidat më të mëdha, përveç furnizimit me ujë, mbetet zgjerimi i rrjetit të kanalizmit.

Ajo tha se vendosja e themelit të këtij impianti është hap i rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në përgjithësi.

“Vendosja e themelit të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Gjakovë është një hap tejet i rëndësishëm, një mision dhe përkushtim për përmirësimin e gjendjes së mjedisit në përgjithësi dhe trajtimin e duhur të ujërave të ndotura në veçanti”.

“Një ndër sfidat në të mëdha të sektorit të ujërave përveç furnizimit me ujë të pijshëm është zgjerimi i rrjetit të kanalizimeve dhe përballimi i ndotjes së madhe të shkaktuara nga shkarkimet e ujërave të ndotura e atyre industriale në lumenj”.

LEXO EDHE:

http://cs13.temp.domains/~ekonomia/nacionale/komuna/gjakova-te-behet-impiant-per-trajtim-te-ujerave-te-ndotura/

Të ngjashme