Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka pritur në takim themeluesin e BM Holding, z. MuhamedAlBarwani, i cili u interesua që të investojë në sektorin minerar të Kosovës. AlBarwani është një ndër 50 personat më të pasur në botën arabe dhe ka në pronësi shumë biznese në sektorin minerar, në prodhimin dhe përpunimin e naftës e gazit, dhe në prodhimin e jahteve.
Lluka ka mirëpritur z. AlBarwani në takim dhe e ka informuar rreth mundësive të investimit në sektorin minerar të vendit tone, duke i treguar që Kosova është shumë e pasur në plumb, zink, krom, boksite dhe nikel. Poashtu, z. AlBarwani, ju prezantuan edhe 11 zonat me interes të veçantë minerar dhe miniera e Trepçës.
“Miniera e Trepçës ka 88 minerale të ndryshme dhe është miniera më e pasur në Evropë me plumb dhe zink. Së fundmi, kjo ndërmarrje ka kaluar si shoqëri aksionare dhe tani më është e hapur për investime të huaja. Me investime në teknologji do të mund të shfrytëzoheshin edhe më shumë pasuritë e kësaj miniere.” shtoi ndër të tjerash Lluka.
MuhamedAlBarwani, gjithashtu u interesua edhe për sektorin e teknologjisë informative, ku Lluka e ka njoftuar se Kosova është prej vendeve lidere në Evropë në përdorimin e internetit ku 95% e shtëpive posedojnë internet me shpejtësi të lartë dhe që, përmes projektit të Ekonomisë Dixhitale të financuar nga Banka Botërore, pas 3 viteve, Kosova do të mbuloj tërë territorin e saj me fibër optik.
MuhamedAlBarwani tha se së shpejti do ta vizitoj Kosovën prapë që ti sheh për së afërmi potencialet që ofron sektori minerar i vendit.
Në fund, Ministri Lluka i dhuroj z. AlBarwani librin e kristaleve dhe mineraleve të Kosovës, si shenjë kujtimi për vizitën në Kosovë.