Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka vizituar komunën e Vushtrrisë dhe është takuar me kryetarin e kësaj komune, Xhafer Tahirin, me të cilin diskutuan për projekte të rëndësishme strategjike.
Lluka premtoi qasje të të gjitha fshatrave të komunës së Vushtrrisë në rrjetin e ujësjellësit.
Sipas Llukës, projekti për integrimin e fshatrave të Vushtrrisë në rrjetin e ujësjellësit do të realizohet në kuadër të një periudhe dyvjeçare me koston 18 milionë euro, raporton Ekonomia Online.
“Ne u pajtuam që integrimi i fshatrave të Vushtrrisë të ketë prioritet. MZhE së bashku me qeverinë zvicerane e ka një projekt rreth 18 milionë euro ku ka për qëllim integrimin e fshatrave në rrjetin e ujësjellësit rajonal. Vushtrria do të jetë pjesë e këtij projekti për t’i lidhur të gjitha ato familje që nuk kanë kyçje në ujë të pijshëm”.
Lluka foli edhe për mundësinë e përfshirjes së Vushtrrisë në trajtimin e ujërave të zeza, raporton EO.
“Ishte me rëndësi të kuptoj edhe që Vushtrria, si në mes të Mitrovicës dhe Prishtinës, nuk është pjesë e trajtimit të ujërave të zeza, pra nuk ka ndonjë plan të investimit përderisa ne jemi duke e bërë atë në Mitrovicë dhe në Prishtinë. Unë besoj dhe mendoj që duhet t’i shikojmë mundësitë që ta përfshijmë edhe Vushtrrinë në këtë projekt”.
“Qëllimi jonë është që trajtimi i ujërave të zeza të jetë në secilin qytet kryesor të Kosovës, duke përfshirë pra Prishtinë, Mitrovicë, Vushtrri. Tashmë jemi tu diskutu edhe për pjesën e Gjilanit dhe Ferizajt”.
Ministri gjithashtu tha se Vushtrria ka mundësi edhe për krijimin e një zone ekonomike në të ardhmen.
“Vushtrria e ka një pozitë jashtëzakonisht të mirë strategjike, ka autostradën, ka hekurudhën, dhe i ka të gjitha dispozitat që mund ta bëjnë të suksesshme gjithashtu dhe i ka në dispozicion diku rreth 250 hektarë që janë madhësi perfekte për një zonë të mirëfilltë ekonomike dhe ka potencial për t’u zhvilluar në të ardhmen”.
Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, falënderoi ministrin e Zhvillimit Ekonomik për vizitën në Vushtrri dhe për përkrahjen e kësaj komune.
“Me ministrin biseduam për kyçjen e familjeve individuale në rrjetin e ujësjellësit. Ministri e përkrahu me kënaqësi dhe shumë shpejt do të përfshihet qoftë përmes fondeve të donatorëve, qoftë në kuadër të Ministrisë. Ky është një lajm i mirë për qytetarët e Vushtrrisë”.
“Po ashtu biseduam për projektet strategjike të qytetit të Vushtrrisë siç është projekti i ujërave të zeza, projekti i ngrohtores së qytetit përmes projektit të kogjenerimit dhe projektet e tjera strategjike, zonat ekonomike e kështu me radhë”.