Logo e re e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) – e cila do të zbulohet nesër përmes një konference për media bashkë me fanellat e reja të Kombëtares së Kosovës – është realizuar nga UEFA. Kjo konfirmohet për Gazetën Express edhe nga sekretari gjeneral i FFK-së, Eroll Salihu.
Sipas Salihut, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ua ka besuar ekspertëve të UEFA-s realizimin e logos së FFK-së, njësoj siç ua kanë realizuar edhe disa shteteve tjera.
“UEFA e ka departamentin e marketingut, i cili edhe e ka realizuar edhe logon tonë. UEFA u ka kryer shërbim të njëjtë edhe shteteve tjera. Ne kemi marrë mendime, ide nga Komiteti Ekzekutiv, tifozët “Dardanët” dhe nga shumë njerëz e grupe të tjera se çfarë elementesh t’i përfshijmë në logon e re. Mendimet dhe idetë më të mira zyra jonë e marketingut ia ka përcjell UEFA-s, e cila i ka përfshi elementet e propozuara nga ne në logon e re, të cilën do ta shihni nesër”, deklaroi për Gazetën Express Eroll Salihu, i cili theksoi se ky shërbim nga UEFA i është bërë pa pagesë FFK-së.
Duke vendosur që t’i besohet UEFA-s realizimi i logos së re, Salihu tha se nuk ka pasur nevojë për një konkurs të brendshëm.
FFK e pati ndërruar logon në vitin 2018. Logo e fundit kishte ngjallur pakënaqësi e polemika, e madje protesta. Procesi ishte shumë i dyshimtë. Përkundër protestave e reagimeve apo dyshimeve, FFK kishte vendosur ta mbajë atë logo deri tash, për gati tri vjet.