Loja e Këshillit Gjyqësor me kandidatët për gjyqtarë (Dokument)

Prishtinë | 21 Mar 2017 | 12:28 | Nga

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk po tregohet serioz rreth shpalljes së një konkursi për gjyqtarë. Ky institucion po i maltreton kandidatët me anë të disa vendimeve që po i nxjerr që, nga hapja e konkursit e deri më tash. Krejt këto vendime po merren duke u ulur e duke u ngritur pikët e kalueshmërisë. Express ka siguruar vendimin e Këshillit i cili ka vendosur që ta ndryshojë pragun e kalueshmërisë nga 45 në 40, e më pastaj përsëri për t’u kthyer te pragu prej 45 pikësh. Ndërkaq, në këtë institucion nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka anuluar një vendim të dytë për t’iu kthyer atij paraprak, rreth mënyrës së përzgjedhjes së gjyqtarëve për Gjykatën Themelore.

Ky Këshill, në mbledhjen e 06 prillit të 2016-ës, kishte marrë vendim që të shpallë konkurs për 61 pozita për gjyqtarë të Gjykatave Themelore.

Ndërkaq, me datë 15 tetor 2016, kishte organizuar testin kualifikues për gjyqtarë, të cilit i janë nënshtruar gjithsej 176 kandidatë, ku pragu i kalueshmërisë së këtij testi ishte 45 pikë e tutje.

Këshilli Gjyqësor, pas testit kualifikues shpalli rezultatet prej të cilëve nga 176 kandidatë që iu nënshtruan procesit, vetëm 75 prej tyre arritën që të marrin mbi 45 pikë.

Me një vendim të ri, të nxjerrë më 28 tetor të 2016-ës, Këshilli vendos që ta ulë pragun e kalueshmërisë nga 45 sa ishte fillimisht, në 40.

Pas këtij vendimi të gjithë ata kandidatë që i kishin siguruar mbi 40 pikë së bashku me kandidatët tjerë që e kishin kaluar fazën e parë me mbi 45 pikë, u janë nënshtruar testimit me shkrim edhe dy herë të tjera.

Ndonëse kandidatët ishin në pritje të rezultatit për këto dy faza kualifikuese, tash me një vendim tjetër, të cilin e ka siguruar Gazeta Express, Këshilli ka vendosur më datë 6 mars të këtij muaji që t’i kthehet vendimit të parë ku pragu i kalueshmërisë ishte mbi 45 pikë, duke e shpallur të pavlefshëm vendimin e dytë, sipas të cilit parashihej që edhe kandidatët me 40 pikë e më shumë t’u nënshtrohen fazave të tjera.

Këshilli Gjyqësor, në arsyetimin e tyre për këtë vendim, thotë se është ballafaquar me reagime të ndryshme nga partnerët vendorë e ndërkombëtarë, si dhe nga shoqëria civile, të cilët, sipas tyre, konsiderojnë se ndryshimi i kritereve në mes të procesit ndikon negativisht në besimin e gjerë të publikut dhe ka krijuar përshtypjen se veprimi i tillë i Këshillit është marrë me qëllim për të favorizuar kandidatë të caktuar.

Gazeta Express ka provuar që të marrë informacione shtesë nga Këshilli Gjyqësor për këto vendime, por të njëjtët nuk kanë qenë të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme