Një stadium olimpik edhe për Vushtrrinë. Dhe jo vetëm kaq. Nëse në krye të këtij qyteti do të jetë Ferit Idrizi nga PDK-ja, do të bëhen edhe 13 terrene të reja për sporte të ndryshme. Gjithë këto brenda mandatit të ardhshëm 4-vjeçar.
Këtë premtim e dha të hënën kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli gjatë një takimi që pati me disa sportistë të Vushtrrisë, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo që u tha nga Veseli mbetet vetëm premtim. Stadium olimpik nga ai u premtua edhe për Prizrenin dhe Drenasin. Por, paraardhësi i tij në krye të PDK-së, Hashim Thaçi, sot president i vendit, kishte premtuar për Prizrenin stadium olimpik edhe në kohën kur ishte kryeministër, po ashtu gjatë kohës së fushatës. Thaçi si kryeministër kishte premtuar në mars të 2014-s edhe ndërtimin e stadiumit nacional. Nga atëherë u ndërruan dy qeveri. Ajo e kaluara, vendosi që stadiumi të ndërtohet në Bërnicë të Poshtme, Komuna e Prishtinës, ndërsa kjo aktualja, vendosi që ky stadium të ndërtohet në Drenas, në fshatin Korroticë.
Më shumë asgjë nuk është bërë rreth këtij premtimi të bërë para tre vjetëve e gjysmë.