Mohamed Fathi, trajneri i klubit të futbollit Mosul në Irakun verior, vështirë e njeh stadiumin e shkatërruar të futbollit, dikur të përdorur nga luftëtarët e grupit të Shteti Islamik për të qëlluar me raketa dhe mortaja.
“Pasi ky u shkatërrua, nuk ka asnjë stadium tjetër në qytet për të luajtur futboll”, tha Fathi, duke treguar me dorë drejt stadiumit të shkatërruar. “Ndikimi i shkatërrimit është i mjaftueshëm për t’iu treguar gjithçka që ndodhi këtu”.
Luftëtarët nga grupi i Shtetit Islamik (IS) pushtuan Mosulin në vitin 2014, duke e zgjeruar më vonë të ashtuquajturin “kalifatin” e tyre në mbi një të tretën e Irakut dhe në Sirinë fqinje. Në vitin 2017, forcat irakiane dhe ato të koalicionit detyruan kryengritësit e ngurtësuar të dilnin në një betejë të rëndë urbane që la Mosulin e lashtë në rrënoja, transmeton KOHA shkrimin e AFP-së.
Stadiumi i mbushur me plumba dhe që ka një kapacitet prej 20 mijë ulëseve, shtëpia e Mosul Sports Cub, nuk u kursye, pasi u përfshi në betejat vdekjeprurëse për kontrollin e vendit. Dy stadiume të tjera më të vegjël në qytet u dëmtuan gjithashtu.
Futbolli “sjell jetë”
“Mjerisht, Qeveria qendrore nuk e kupton se futbolli është ai që i sjell jetën përsëri një qyteti, njerëzve dhe rinisë së tij”, tha Fathi. “Kështu që gjërat kanë qëndruar njësoj që prej asaj kohe”.
Mosul Sport Club ishte dikur një klub me paraqitje solide që prodhoi disa nga lojtarët më të mirë të vendit. Në mesin e tyre është edhe Hawar Mulla Mohammed, i cili udhëhoqi Irakun në kampionatin e tij historik të Kupës Aziatike në vitin 2007, dhe i cili luajti si futbollist profesionist në Evropë. Dekada më parë, Përfaqësuesja e Irakut bëri paraqitjen e saj të vetme në Kampionatin Botëror të vitit 1986, që u mbajt në Meksikë. Djaloshi i Mosulit, mesfushori i aftë Haris Mohammed, e udhëhoqi vendin e tij drejt nderit të rrallë ndërkombëtar.
I themeluar në vitin 1947, Mosul SC luajti 18 sezone në kampionatin elitar të Irakut, para se të binte në divizionin e parë një dekadë më parë. Me mijëra tifozë të zhurmshëm që mbështesnin me pasion ekipin e tyre, vendasit e quajtën atë “stadiumi i tmerrit” për ekipet vizituese.