Lojtarët e Bayern Muenchenit dhe Borussia Dortmundit janë pajtuar që t’u ulet paga për 20 për qind derisa nuk ka ndeshje futbolli shkaku i koronavirusit, njoftojnë mediumet gjermane, transmeton Koha.net.
Krerët e dy gjigantëve gjermanë kanë biseduar me lojtarët të hënën për këtë situatë. Nuk ka pasur ndeshje në Bundesligën gjermane që nga 8 marsi dhe po pritet të vazhdojë pezullimi i garave shkaku i pandemisë.
Mësohet nga gazeta gjermane “Bild” se lojtarët e Dortmundit kanë marrë hapin për të pranuar ulje page prej 20 për qind derisa të mos ketë ndeshje. Ndërsa ulja do të jetë 10 për qind nëse ndeshjet luhen pa shikues.
Edhe kryetrajneri Lucien Favre, që ka pagë 4.5 milionë euro në vit, është pajtuar për ulje page. Mësohet se duke u marrë këto masa Dortmundi do të kursejë afro 2.3 milionë euro në muaj. E si rezultat rreth 850 punëtorë të klubit do të mbajnë punën.
Një hap të ngjashëm kanë ndjekur edhe lojtarët e Bayern Muenchenit dhe bordi i drejtorëve. Po ashtu kanë pranuar ulje page edhe lojtarët e Borussia Moenchengladbachut, Werder Bremenit e Schalkes.
Shumë klube janë në vështirësi financiare pas pezullimit të garave.