Roma ka njoftuar se lojtarët, trajneri dhe stafi i klubit kanë pranuar vullnetarisht të heqin dorë nga pagat e tyre për pjesën e mbetur të sezonit, në mënyrë që t’i ndihmojnë klubit gjatë krizës së pandemisë koronavirus.
Ndeshja e fundit që e zhvilloi Roma para pandemisë ishte 1 marsi, prandaj klubi nuk ka pasur të hyra që prej atëherë dhe ngjashëm si kryeqytetasit, edhe shumë klube të tjera në Serie A po punojnë t’i bindin lojtarët e tyre të heqin dorë nga pagat për një muaj apo më shumë.
Roma është klubi i parë që shkon aq larg sa t’ua heqë lojtarëve dhe stafit pagat e katër muajve, në përpjekje për t’i balancuar llogaritë financiare.
“Lojtarët e klubit, trajneri i ekipit të parë Paulo Fonsenca dhe stafi i tij kanë dalë vullnetarisht për të hequr dorë nga pagat e katër muajve të këtij sezoni, për t’i ndihmuar klubit në krizën ekonomike që e ka kapluar botën e futbollit që prej shpërthimit të koronavirusit”, ka thënë Roma në një komunikatë për media.