Sulmuesi brazilian Neymar, ka thënë se paraja nuk ka qenë faktori që e ka shtyrë të transferohet te Paris Saint-Germain.
Neymar, këtë e ka thënë, të premten, në konferencë për media, gjatë prezantimit te skuadra e re. Paris Saint-Germain për Neymarin ka paguar një shumë rekorde prej 222 milionë eurosh, sa ishte klauzola për lirim e brazilianit në kontratën me Barcelonën. Ndërkohë Neymar është bërë futbollisti më i paguar në botë te Parisi, duke firmosur kontratë pesëvjeçare me pagë vjetore prej 45 milionë eurosh, shkruan sot Koha Ditore.
“Unë kam dashur një sfidë më të madhe dhe zemra ime mori vendimin. Unë e ndjeka zemrën time. Paraja kurrë nuk ka qenë motivimi im. Unë dua të jem i lumtur, dua që familja ime të jetë e lumtur. Jam i trishtuar të dëgjoj se njerëzit mendojnë që e kam bërë vetëm për para. Po të ishte vetëm për para, do të shkoja diku tjetër. Të jem lojtari më i shtrenjtë në botë nuk është barrë për mua. Unë kam peshë 69 kilogramë. Nuk kam barrë mbi shpatulla”, ka thënë Neymar.
Ai, po ashtu, ka mohuar edhe faktin se të qenit në hije të Lionel Messit te Barcelona e ka shtyrë të largohet nga skuadra katalunase.