Institucionet e Kosovës janë duke e shqyrtuar mundësinë e ndaljes së përkohshme të veprimtarisë së klubeve të natës në të cila ka më së shumti frekuentim nga ana e qytetarëve. Komiteti Koordinues dhe Vlerësues po e vëzhgon situatën dhe së shpejti pritet që të merret vendim nëse veprimtaria që zhvillohet kryesisht në Prishtinë, të ndalet përkohësisht
Lokaleve të natës në të cilat organizohen mbrëmje muzikore, së shpejti mund t’u ndalohet përkohësisht kjo veprimtari.
Kjo do të bëhet për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, i cili deri më tani në të gjithë botën ua ka marrë jetën më shumë se 4 mijë personave.
Komiteti Koordinues dhe Vlerësues në takimin që ka mbajtur të hënën, ka diskutuar rreth masave të nevojshme të cilat duhet të ndërmerren për t’u mbrojtur nga përhapja e koronavirusit.
Në këtë takim është diskutuar edhe mbyllja e përkohshme e lokaleve të natës, si masë mbrojtëse të përhapjes së virusit.
“E dimë se rreziku më i madh për përhapjen e koronavirusit është në vendet ku ka frekuentim më të madh nga qytetarët. Andaj Komiteti është duke e shqyrtuar mundësinë dhe duke biseduar rreth hapave që do të merren për parandalimin e përhapjes së virusit.”, ka thënë për Express një nga anëtarët e Komitetit.
Por, Shoqata e Gastronomëve të Prishtinës, ende nuk ka marrë ndonjë kërkesë për anulim të mbrëmjeve muzikore, nga ana e institucioneve të Kosovës.
Këtë e ka thënë për Gazetën Express anëtari i kryesisë së kësaj shoqate, Shpat Hashani.
Megjithatë, ai ka theksuar se bizneset janë të gatshme të bashkëpunojnë nëse institucionet marrin vendimin që të pushojë përkohësisht puna e lokaleve të natës.
“Për momentin as ne nuk jemi në dijeni, besoj se do duhej të kemi një takim me ndonjë grup punues të qeverisë dhe të marrim ndonjë vendim sepse kjo është në interes të të gjithëve. S’kemi asgjë konkrete që të dimë se si të veprojmë. Nuk ka kërkuar askush të ndalohet puna e lokaleve deri më tani. Është mirë të parandalohet, por s’mund të bëjmë diçka që mund të ketë pasoja tek bizneset, të paktën pa u konfirmuar”, ka thënë Hashani.
Ai ka shtuar se edhe qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm, pasi sipas tij, edhe nëse nuk lëshohet muzikë nëpër lokale, ata prapë do t’i frekuentojnë.
“Pa e pasur një takim ne në shoqatë edhe me Odën Ekonomike që mos me marrë vendime të ngutshme. Por, edhe nëse nuk organizohen mbrëmje me muzikë, njerëzit kanë me dalë, nuk varet prej neve, por prej qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm në raste të tilla”, ka thënë Hashani.
E në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, sot janë paraqitur gjashtë raste të reja të dyshuara për koronavirus, duke bërë që numri të shkojë në tetë.
Këtë e ka konfirmuar drejtoresha e Klinikës Infektive, Lendita Ajvazi-Berisha.
“Ne momentalisht në klinikë i kemi hospitalizuar gjashtë pacientë. Për momentin nuk ka nevojë për shqetësime”, ka thënë ajo.
Express merr vesh se personat që dyshohet të jenë të prekur me koronavirus kanë ardhur në Kosovë nga Zvicra, Anglia dhe Maqedonia.
Po ashtu, Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, sot do të takohet me drejtorët komunalë për të diskutuar rreth masave mbrojtëse që do të ndërmerren për mbrojtje nga përhapja e koronavirusit.
Këtë e ka konfirmuar ministrja Bajrami, e cila ka deklaruar se takimi do të mbahet për të biseduar rreth implementimit të planit të veprimit dhe për ndërmarrjen e masave kundër koronavirusit.
“Takimi është thirrur për të biseduar për implementimin e planit të veprimit për masat preventive kundër koronavirusit”, ka thënë Bajrami.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të hënën në një konferencë për media, pas takimit me Komitetin Koordinues dhe Vlerësues për situatën epidemiologjike, ka deklaruar se deri më tani në Kosovë nuk është asnjë rast i konfirmuar me koronavirus.
Ai shtoi se Ministria e Shëndetësisë planifikon të shpenzojë 10 milionë e 13 mijë e 295 euro, për të zhvilluar aktivitetet dhe planet rreth parandalimit apo trajtimit të virusit për të prekurit eventual në Kosovë
“Komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me koronavirusin mbajti sot takimin e rregullt në të cilin ka shqyrtuar situatën epidemiologjike në vend dhe ka përgatitjet që janë bërë për t’u ballafaquar me raste eventuale të këtij virusi edhe në Kosovë”, ka thënë Vitia.
Ai ka shtuar se deri më tani janë testuar 57 raste të cilat kanë rezultuar të jenë negative.
“Raste me koronavirus janë konfirmuar në vendet fqinje me Kosovën. Tash për tash, pa i llogaritur pesë raste që po testohen sot, në Kosovë nuk ka raste të koronavirusit të konfirmuara. Janë testuar 57 raste deri më tani dhe të gjitha kanë rezultuar negative”, tha Vitia.
I pari i shëndetësisë tha se dikasteri të cilin ai drejton ka llogaritur edhe mjetet financiare të cilat do të shërbejnë për aktivitetet që do të ndërmerren.
“MSH’ja ka bërë përllogaritjen financiare të aktiviteteve që do të zhvillohen nga ministria, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Klinika Infektive dhe institucionet tjera mbështetëse, pra secili hap do të varet nga zhvillimet qe do t’i kemi në terren në orët apo ditët në vazhdim. Janë 10 milionë e 13 mijë e 295 euro. Plani i veprimit do të bëhet në zbatim, varësisht nga situata. Te gjitha janë të përcaktuara qartë në një plan të detajuar nga ekspertët”, deklaroi Vitia.