Lonisa Reka ka filluar të merret me gjimnastikë në moshën 6 vjeçare, tani si 10 vjeçare ajo numëron mbi 30 medalje, mirënjohje e trofe të cilat i ka fituar në garat e gjimnastikës në kategorinë e pionerëve.
“Në garat e para në vitin 2015 kemi marrë pjesë me Lonisën për herë të parë në gara, ishte atëherë në moshën 6 vjeçare e gjysmë dhe arritëm ta marrim vendin e parë në disiplinën parter”, ka thënë Zeqir Reka, babai i Lonisës.
Në vitin 2015, Lonisa ka arritur të marrë vendet e para në dy palë garat e organizuara nga Federata e Gjimnastikës së Kosovës (FGjK).
Lonisa Reka e cila stërvitet me klubin e gjimnastikës ‘Ferizaj’ për shkak se komuna e Kaçanikut nuk ka klub, në vitin 2016 ka arritur të shpallet gjimnastja e vitit, në kategorinë e pionerëve.
“Në vitin 2016 në dy parë garat që i ka organizuar Federata ne kemi arritur t’i marrim vendet e para me Lonisën dhe në fund të vitit 2016, FGjK duke u bazuar në të gjitha të arriturat e kësaj vajze e ka shpallur atë sportiste të vitit 2016 në kategorinë e pionerëve”, ka thënë Zeqir Reka.
Edhe viti 2017 ka qenë vit i sukseseve për Lonisa Rekën, ajo në fund të vitit përsëri është shpallur gjimnastja e vitit nga FGjK.
Fjalët më të mira për Lonisën i ka edhe Jetish Hetemi, trajneri i klubit të gjimnastikës ‘Ferizaj’ me të cilin stërvitet Lonisa një herë në javë.
“Lonisa Reka është një gjimnaste fenomenale, ajo stërvitet në klubin tonë qe 4 ose 5 vite, po nuk është e rregullt në stërvitje për shkak të kushteve të vështira materiale”, ka thënë Hetemi.
Për shkak të kushteve financiare Lonisa stërvitet vetëm një herë në javë nga gjithsej tri herë sa stërvitet klubi i gjimnastikës “Ferizaj”.
Trajneri Hetemi ka shpjeguar që Lonisa garon në katër disiplina gjimnastikore, parter, kapërcim, paralele të shkallëzuar dhe tra.
“Asnjë gjimnaste e Kosovës nuk është më e përgatitur se Lonisa, në të gjitha disiplinat garon dhe ka marrë më së shumti medalje të arta, është shpallur qe 2 vite gjimnastja më e mirë e Republikës së Kosovës”, është shprehur Hetemi.
Edhe Besim Halilaj, kryetari i FGjK-së e ka pranuar se një nga gjimnastet që Lonisa Reka është një nga gjimnastet që e ka bërë publikun të ngritet në këmbë.
“Për një profesionist dhe nga komentet që marrim prej gjyqtarëve të cilët janë profesorë universitarë dhe njohës të gjimnastikës, Lonisa Reka ka një talent të rrallë”, ka thënë Halilaj.
Ylli i gjimnastikës, që pa përkrahje rrezikon të shuhet
Trajneri personal i Lonisës është babai i saj, Zeqir Reka, për të cilin gjimnastika është një ëndërr e mbetur në sirtar.
“Unë me Lonisën punoj 90 për qind në shtëpi, i kemi kushtet minimale për një stërvitje të një niveli qysh ne e paramendojmë me arritë me të mirëpo ja që këto janë kushtet ne që i kemi”, theksoi babai i Lonisës.
Gjatë kohës që Lonisa nuk ka mundësi të shkoj për stërvitje në Ferizaj, ajo stërvitet pas banesës në të cilën jeton, ku babai i saj ka improvizuar një pjesë të kopshtit duke e shndërruar në një vend për stërvitje.
“Kam ndërtuar disa pajisje të vogla, si traun, sfungjerët, paralelen me të cilat punoj në park”, ka thënë ai.
Besim Halilaj, kryetari i FGjK-së ka thënë se Lonisën po e penalizon puna si autodidakte me babain e saj pavarësisht që ajo është pjesë e Klubit të Gjimnastikës “Ferizaj” dhe stërvitet nga trajneri Jetish Hetemi.
“Prindi i Lonisës në shtëpi punon vetëm me të, tani nga mos njohja e gjimnastikës së mirëfilltë nga prindi, Lonisës i mungon shtrirja në ekzekutimin e lëvizjeve gjë e cila vlerësohet shumë në gjimnastikën artistike”, ka theksuar Halilaj.
Lonisa nuk ka marrë mbështetje financiare nga komuna e Kaçanikut për shkak se ajo nuk e përfaqëson Kaçanikun nëpër gara. Edhe pse të gjitha të arriturat e Lonisës shkojnë për komunën e Ferizajit as kjo komunë nuk e ka përkrahur financiarisht gjimnasten me perspektivë.
“Mbi 30 medalje kjo vajzë ia ka sjellë komunës së Ferizajt, ne nuk kemi pasur asnjë përkrahje më të vogël prej asaj komune”, është shprehur Zeqir Reka.
Edhe Jetish Hetemi, trajneri i klubit të gjimnastikës ‘Ferizaj’ ka thënë se nuk kanë marrë mbështetje as nga drejtoria e Kulturës dhe Sportit në komunën e Ferizajt, as nga Federata e Gjimnastikës së Kosovës.
“Unë i ushtroj pa asnjë kompensim edhe veshjet sportive për gara ua kam ble me vetëfinancim”, tha Hetemi.
Trajneri Hetemi ka thënë se Lonisa është talente, por që pa përkrahje rrezikon të shuhet.
“Pa përkrahje shuhet kështu që ka shumë nevojë me e ndihmu. Gjimnastika është disiplinë shumë e vështirë kështu që pa mbështetje financiare nuk ka rezultate”, ka thënë ai.
Udhëheqësi komunal për sport në Ferizaj, Bashkim Haxhimusa ka thënë se komuna nuk investon në garues individualisht nëse ata nuk kanë fituar medalje në nivel evropian e ndërkombëtar.
“Ne nuk kemi të drejtë ligjore me financu në Kosovë nëse ajo është garuese e rrafshit kombëtar. Ne i kemi mbi 100 garues që kanë medalje të rëndësishme, ne mundemi me financu dhe me mbështetë atë nëse ajo arrinë që në rrafshin ndërkombëtar me fitu medalje”, ka thënë Haxhimusa.
Haxhimusa më tej ka shtuar se me buxhetin prej rreth 80 mijë euro sa ndahet për fushën e sportit duhet me u mbulu 48 klube dhe shkolla sportive sa janë në Ferizaj.
“Ne e sponsorizojmë klubin, aty janë 100 fëmijë, nëse i japim 100 euro, të gjithë kanë me i marrë nga 1 euro, se për të gjithë ne jemi të njëjtë”, ka potencuar Haxhimusa.
Kurse sa i përket financimit të klubit të gjimnastikës ‘Ferizaj’, ai ka thënë se klubi ka marrë pajisje sportive me vlerë 10 mijë euro nga komuna Ferizaj.
“Gjimnastja e vitit” nuk përzgjedhet për ta përfaqësuar Kosovën në Itali
Edhe pse Lonisa Reka është shpallur dy vite radhazi si gjimnastja më e mirë në kategorinë e pionerëve në nivel të Republikës së Kosovës, ajo nuk është përzgjedhur për ta përfaqësuar Federatën e Gjimnastikës së Kosovës (FGjK) në garat të cilat janë mbajtur në Itali nga 1 deri më 3 qershor.
“Ne mendojmë se jemi diskriminu dhe kemi pritë nga FGjK që këtë vajzë ta dërgojnë në kategorinë e saj për ta prezantuar Kosovën”, ka thënë Zeqir Reka, babai i Lonisës.
Gjimnastet të cilat e kanë përfaqësuar FGjK-në në Itali janë, Bora Hoti, Amela Gërbeshi, Vilëza Zeqiri, Valëza Rama së bashku me trajnerët, Shkumbin Maqastena dhe Abeliana Bregu nga klubi ‘Elita’ nga Prishtina.
Një ditë para se katër gjimnastet dhe dy trajnerët e klubit ‘Elita’ të zhvillojnë garat në Itali, FGjK e kishte publikuar njoftimin në faqen zyrtare.
“Domethënë këtë njoftim e kemi marrë një ditë para se klubi të udhëtoj për në Itali dhe gjithçka kishte marrë fund, ankesat tona ishin të kota, por mjafton të tregohet se këtu shpesh bëhen padrejtësi, demotivohen gjimnastët me perspektivë”, ka theksuar Zeqir Reka.
Babai i Lonisës ka thënë se përgjigja e FGjK-së për ankesën e tyre ka qenë që vetë klubi Elita në mënyrë vetanake përmes trajneres kishte siguruar pjesëmarrjen në garat në Itali.
“Ne e përgëzojmë klubin Elita për të arriturat e tyre por që kur të bëhet fjalë për përfaqësimin e Kosovës dhe përfaqësimin e gjimnastikës në përgjithësi në Kosovë duhet të merret parasysh fakti se kush ka dhënë rezultatet më të mira gjatë historisë së kësaj federate”, është shprehur babai i Lonisës.
Edhe trajneri i klubit “Ferizaj”, Jetish Hetemi ka thënë se për në garat në Itali nuk është bërë përzgjedhja pasi është dashur të shkojnë ata që kanë pasur rezultatet më të mira.
“Por këtë organizim e ka bërë klubi ‘Elita’ edhe i ka dërgu kandidatët e saj, janë arsyetu se kanë apliku me vonesë për viza dhe se nuk kanë pasur mundësi me na informu edhe kanë shku në emër të klubit Elita po tani janë thirrë në emër të Federatës së Gjimnastikës së Kosovës”, ka rrëfyer Hetemi.
Kryetari i FGjK-së, Besim Halilaj ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se Klubi i Gjimnastikës ‘Elita’ nga Prishtina me trajnerët Shkumbin Maqastena dhe Abeliana Bregu kanë pranuar një ftesë si klub për pjesëmarrje në Itali nga organizatori “Consport Italia”.
“Ftesa ka rrjedhur për shkak të respektit ndërkombëtar që gëzon ish-gjimnastja, Abeliana Bregu dhe ish-kampionia e shumëfishtë e Shqipërisë, pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror në Rusi dhe në shumë gara tjera ndërkombëtare me përfaqësuesen e Shqipërisë atëherë, kurse sot falë ftesës që i kemi bërë ne FGJK, ajo gëzon shtetësinë e Kosovës dhe po punon për Gjimnastikën Artistike për Femra në Kosovë”, ka thënë Halilaj.
Më tej Halilaj ka shpjeguar se me të pranuar ftesën, klubi ‘Elita’ e ka kontaktuar FGjK-në dhe kryesia për shkak të rëndësisë së pjesëmarrjes ka propozuar që përfaqësimi të bëhet si Federatë përkatësisht si Kosovë, dhe jo vetëm si klub.
“Kryesia e FGJK-së përpiloi një propozim rregullore e cila u jep spjegim rasteve për pjesëmarrje jashtë vendi dhe zgjidhë problemin e financimit, i cili propozim u aprovua nga të gjithë përfaqësuesit e klubeve të gjimnastikës të regjistruara në FGJK”, ka treguar Halilaj.
Halilaj ka thënë se FGjK është e interesuar që t’i motivoj klubet e gjimnastikës për pjesëmarrje individuale si klube në aktivitete ndërkombëtare me numër të limituar të gjimnastëve më të dalluar kështu që Kryesia ka përpiluar një propozim rregullore
“Ndërsa propozojmë që nga Federata të financoheni me 30% nga shuma e përgjithshme e shpenzimeve, me çka do të merrni edhe miratimin nga FGJK për pjesëmarrje dhe përfaqësim”, thuhet në propozim rregulloren e përpiluar nga Kryesia e FGjK-së.
Në propozim rregullore më tej thuhet se e gjithë kjo do të vlejë për një periudhë kohore të caktuar për vitin 2018 deri sa FGJK të formoj ekipin përfaqësues të Kosovës për gjimnastikë.
Sipas kësaj propozim rregullore në rastin kur një klub gjimnastikor gjeneron kontakte ndërkombëtare prej të cilave përfiton ftesë për pjesëmarrje në aktivitete ndërkombëtare, atëherë klubi në fjalë ka të drejtën e 50 % të gjimnastëve të vet, dhe 50% të gjimnastëve nga të gjitha klubet me gjimnastët më të mirë varësisht nga numri total i gjimnastëve për pjesëmarrje.
“Dhe Federata financon 60% të shpenzimeve. Në rastet kur FGJK aranzhon pjesëmarrje në gara ndërkombëtare Federata financon 100% të shpenzimeve”, përfundon propozim rregullorja.
Sa i përket garave në Itali, Halilaj ka thënë se Kryesia e ka shqyrtuar edhe mundësinë e dytë, që klubit ‘Elita’ t’i bashkohen edhe gjimnaste nga klube të tjera por që për shkak të kohës së shkurtër një gjë e tillë ka qenë e pa mundur.
“Për shkak të procedurave për viza edhe për një fakt me rëndësi sepse gjimnastet nga klubet tjera do të duhej të udhëtonin dhe të punonin me të njëjtën trajnere për t’i sinkronizuar lëvizjet dhe kombinimet e elementeve gjimnastikore e që kjo gjë për shkak të kohës ishte e pa mundur”, ka thënë Halilaj.
FGjK u themelua me 12 dhjetor 2012 në Prishtinë, me iniciativën kryetarit të FGjK-së, Besim Halilaj, Besim Gashit, ish-gjimnastit, Amir Tahiraga dhe me mbështetjen e përfaqësuesve të 5 klubeve gjimnastikore kryesisht studentë dhe profesorë të Kulturës Fizike.
Në Kosovë e zhvillojnë aktivitetin e tyre sportive, 14 klube gjimnastikore, Akademia e Gjimnastikës “Universiteti”, “Elita” Prishtinë, “Prishtina”, “Ardhmëria”, “Ferizaj”, “Drita” nga Gjilani, “Trepça” në Mitrovicë, “Halil Alidema”, Gjilan – Viti, Klubi i Gjimnastikës Lipjan, Klubi “Kosova” nga Vushtrria, “Malisheva”, “Fushë Kosova”, “Kulina” dhe “Omnisport”.
Numri i përgjithshëm i gjimnastëve në Kosovë sipas FGjK-së sillet rreth 260, prej tyre janë 230 femra dhe 30 meshkuj./Kallxo.com