Pas largimit të Cristiano Ronaldos dhe Zinedine Zidanes, të shumtë ishin ata që besonin se periudha e artë e Realit të Madridit kishte përfunduar tashmë, besim që u shndërruar në bindje, me merkaton e varfër të realizuar nga Florentino Perez gjatë verës.
Gjithsesi starti i kampionatit spanjoll ka treguar se Reali i Madridit nuk po e ndjen aspak largimin e teknikut dhe yllit të skuadrës, pasi nën drejtimin e Julen Lopeteguit, rolin e liderit e ka marrë uellsiani Gareth Bale, i cili po shkëlqen dhe po bëhet protagonist nga ndeshja në ndeshje.
Për më tepër, sulmuesi francez Karim Benzema nuk po sakrifikohet më për Ronaldon dhe po luan më pranë portës, ndërsa rezultatet janë të qarta, pasi ka shënuar 4 gola në tre takime dhe ka vijuar të jetë një pikë referimi për skuadrën.
Vetë trajneri spanjoll Lopetegui shprehu gjithë besimin për sulmuesin francez, duke thënë se Benzema mund të prekë edhe kuotën e 40 golave të shënuar, pasi është një bomber që di të gjendet në vendin e duhur dhe ta sakrifikohet edhe për skuadrën.
“Jam shumë i kënaqur me paraqitjet e Benzemasë, pasi është një sulmues që sakrifikon shumë për ekipin dhe mbi të gjitha, një goleador i lindur. Kam besim se ai do të arrijë kuotën e 40 golave të shënuar këtë sezon, pasi di të nuhasë situatat e golit dhe të gjendet në vendin e duhur”, deklaroi Lopetegui.
Me largimin e Ronaldos, tekniku spanjoll ka ndryshuar skemën në një 4-2-3-1, ndërsa i ka dhënë shumë besim edhe Asensios, i cili po zhvillon gjithashtu paraqitje mjaft të mira dhe bindëse, duke treguar se e meriton një fanellë titullari.
Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/sport/lopetegui-e-thumbon-ronaldon-benzema-do-t-i-shenoj137-40-gola-kete-sezon-572161/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright