Po ta pyesësh zëvendësdrejtorin e kompanisë gjigante të rrjeteve të marketeve “Viva Fresh Store”, Korab Hoxhën, se prej nga e njeh shefin e kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Luan Dalipin, ai deklaron se ka shoqëri prej dy dekadash me të.
Po t’ia bësh të njëjtën pyetje Dalipit, ai pohon krejt të kundërtën. Thotë se njihen veç që disa vjet.
Një fotografi e Dalipit dhe Hoxhës, në një restorant bashkë dhe me shokë të tjerë, u bë lajm në mediat kosovare.
Dalipi është shef i kabinetit të Albin Kurtit. Albin Kurti është kryeministri që shpjegonte se si Kosova është varfëruar për shkak të oligarkëve. Prandaj, darka e Dalipit majtist me një oligark u gjykua.
“Me Korabin dhe ata aty – se s’kam dashtë me hy në debat publik për këtë temë, se e konsideroj humbje kohe – por ne jemi njoftuar para disa viteve, meqë disa prej atij grupi, e kemi pas krijuar x-trailers që është grup vrapimi malor, në Gërmi dalim”, thotë Dalipi për Albanian Post.
“Një pjesë e atij grupi vazhdojmë të kemi shoqëri, edhe faktikisht e vetmja kohë kur takohem me Korabin është tash së fundi, se s’po kemi kohë as me vrapu, prandaj takohemi në ndonjë restorant kështu një herë në dy–tre muaj”.
Më pas Dalipi thotë se zëvendësdrejtori i Vivës nuk është aq i rregullt në sesionet e vrapimit. Madje, s’është hiç i rregullt.
“Ai, faktikisht, ka dalë një herë dhe vetëm një herë e kam taku në Gërmi, në vrap”.
“Kam qëllu bile unë qatë ditë, sepse kështu i kemi nda rolet atëherë me ju ndihmuar vrapuesve të rinj që të mos dekurajohen”.
Dalipi, teknikat e tij kundër dekurajimit i kishte përdorur edhe në rastin e Hoxhës.
“Nuk e di sa merresh dhe a merresh me këtë sport, por shumë lehtë dekurajohen njerëzit sepse është lodhje, ndezje e muskujve e të tjera, e unë e pata përcjellë, i pata ndihmu”.
I pyetur se mos rastësisht e njeh më parë Hoxhën, Dalipi mohon.
“Nuk e kam njohur më parë, aty e kam njoftuar. Edhe faktikisht në 2018-në ndoshta në 2017-në, nuk jam i sigurt, kur jemi taku”.
Dalipi ka mundësi që po e thotë të vërtetën, por ka mundësi që thjesht nuk është edhe aq shok i mirë. Sepse, Hoxha pohon se ata njihen shumë më parë.
Dalipi mund të ketë harruar, por siç tregon Hoxha për Albanian Post, ata kanë miqësi që 18 vjet.
“Me zotëri Dalipin nuk njihem prej momentit kur ai është në qeveri, ka vite e vite që jemi miq. Tash nuk do të thotë që ai punon në një institucion e nuk duhet me pas miq. Jemi miq prej shumë viteve, nuk ka të bëjë asgjë puna e pozitës së tij me punët dhe pozitën time”.
Jemi miq “që 18 vjet ndoshta”, saktëson Hoxha.
Ndryshe nga saktësimi i viteve, Hoxha është bezdisur kur është pyetur si është njoftuar me Dalipin.
“Ju a jeni gjykatë apo çka jeni?”, u përgjigj me pyetje ai.
“Pak rëndësi ka se si njihemi, unë njihem me të që 18 vite. Po çka ka lidhje se si njihemi?”.
Një nga problemet e takimeve të Dalipit me Hoxhën, sidomos në parametrat që, më parë, i kishte vendosur Vetëvendosje, është se Viva kishte financuar fushatën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje.
Rrjedhimisht, shefi i kabinetit të kryeministrit të Kosovës po hante darkë me një donator të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kjo, nën llupën e vet Vetëvendosjes, nënkupton bashkëpunim të shtetit me oligarkë në dëm të shtresave të mesme e të varfra të shoqërisë kosovare.
I pyetur se çfarë kanë biseduar në darkë dhe ka pasur bisedë rreth vetë qeverisë, Hoxha ka refuzuar të flas po ashtu.
“Më dëgjo, nëse ke ndonjë pyetje tjetër më dërgo me e-mail. Janë pyetje shumë banale këto”.