Javën që shkoi në Berlin ish – boksieri profesionist me një karrierë mbresëlënëse sportive në arenën ndërkombëtare Luan Krasniqi, fitues i medaljes olimpike, kampion i shumëfishtë evropian dhe pretendues për titullin e kampionit të botës në vitin 2005, është emëruar ambasador i SOS-katundit për fëmijë (SOS-Kinderdorf).
Sivjet SOS-Kinderdorf në festën e tij të përvitshme verore në kryeqytetin gjerman e kishte ftuar si mysafir nderi sportistin shqiptar me zemër njeriu për ta shpallur ambasador të tij. Ishte vetë kryetari i kryesisë së kësaj organizate të pavarur, joshtetërore dhe mbikonfesionale Wilfried Vyslozil që ia dorëzoi certifikatën e emërimit ambasador sportistit shqiptar me shtetësi gjermane.
“Gëzohem shumë që Luan Krasniqi, prej më shumë se dhjetë vitesh na ndihmon që fëmijëve tu japin guxim për të ëndërruar” tha ndër të tjera kryetari Vyslozil, duke vënë dukje më tej se Krasniqi ka ndihmuar dhe ndihmon edhe tani të rinjtë gjermanë në orientimin e tyre profesional.
Luan Krasniqi punon që prej vitit 2006 për organizatën humanitare “SOS Kinderdorf”. Në fushatën e zhvilluar me rastin e Kampionatit Botëror të Futbollit “6 f shatra SOS për vitin 2006”, Krasniqi kishte dhënë kontributin e tij për themelimin e këtyre fshatërave. Katër vite më parë, në vitin 2013, ai së bashku me shefin e gjigandit të industrisë automobilistike Porsche, Uwe Hück, një thaiboiksier profeisonal që kishte arritur të bëhet dy herë kampion i Europës dhe që fëmijërinë e kishte kaluar në shtëpi fëmijësh, ndërmori aksionin sportiv humanitar të boksit “Blaue Zwecke für gute Zwecke”. Në këtë eviniment sportiv u grumbulluan 50 mijë euro për fëmijët qö strehohen në SOS Kinderdorf-Prishtina.
“Unë i dëshiroj çdo fëmije të ketë mbështetje familjare. Dhe këtë mbështetje e ofron ‘SOS Kinderdorf’ në mënyrë unike”, tha Luan Krasniqi. “Dhe për këtë jam krenar të jem ambasador zyrtar i SOS Kinderdorf” tha me këtë rast Luan Krasniqi.
Si lindi organizata SOS-Kinderdorf? Gjithcka filloi nga një ide: një fëmijë, një nënë, një motër a vëlla, një fshat. Për t’u dhënë një kulm, një shtëpi fëmijëve që kishin mbetur pa prindër gjatë Luftës së Dytë Botërore Hermann Gmeiner themeloi fshatin parë për fëmijë në Imst të Austrisë në vitin 1949. Shtatë vite më vonë, në vitin 1956, themelohet një fshat i tillë edhe në Gjermani, në Ammersee. Sot SOS-Kinderdorf është i pranishëm në 133 vende dhe territore në botë me 2300 institucione. Në Gjermani në 41 institucione të tilla janë të angazhuar mbi 3500 punëtorë që ndihmojnë 95.000 njerëz. Një fshat i tillë për fëmijët shqiptarë që kanë mbetur pa prindër gjatë luftës së Kosovës është themeluar edhe në Prishtinë në vitin 2004.
Në këtë institucion gjejnë shtëpinë e tyre edhe fëmijët e braktisur nga nënat e tyre pas lindjes, rreth 30-40 fëmijë të tillë në vit i dorëzohen SOS-Kinderorf-it në Prishtinë nga ana e Klinitkës obstetrike të kryeqytetit kosovar. Luan Krasniqi është kujdesur në mënyrë të vecantë për fëmijët e këtij institucioni, duke iniciuar aksione për mbledhjen e parave në truallin gjerman.
Se ç’rëndësi ka kjo organizatë humanitare për shtetin gjerman më së miri e dëshmon fakti që vetë ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel e vizitoi simpoziumin e SOS-Kinderdorf që u mbajt në Salzgitter në Saksoni vetëm tre ditë para se Luan Krasniqi të emrohej ambasador zyrtar i kësaj organizate.
Luan Krasniqi në rolin e ambasadorit në të mirë të kombit të tij në fakt është aktiv që nga vitet 1990 kur u ngrit me shpejtësinë marramendëse të një komete në qiellin e sportit europian dhe botëror.
Sukseset e tij në sportin e boksit amator dhe profesional dhe performanca e tij e shkëlqyer mediale, ai flet rrjedhshëm pos gjuhës shqipe edhe disa gjuhë botërore, kishin një vetvetiu edhe një dimension politik-diplomatik, sepse kur flitej për sukseset e tij flitej njëkohësisht edhe për origjinën dhe problemet e kombit të cilit i përkiste Luan Krasniqi, një pjesë e të cilit jetonte në rrethana apartheidi, i përjashtuar nga cdo e drejtë, përfshirë këtu edhe diskriminimin e sportistëve shqiptarë. Në këtë funksion, të diplomatit, të ambasadorit të Kosovës në Gjermani, ishte edhe disa muaj më parë me rastin e arrestimit në Francë të kandidatit të tanishëm për kryeministër të Kosovës Ramush Haradinaj.
Para se ta vizitonte atë atje, ai i shkroi kancelares Angela Merkel dhe disa funksionarëve të tjerë të lartë patrtiakë dhe shtetërorë gjermanë, me të cilët ai ka njohje personale, me kërkesën që ata të angazhohesin për lirimin e heroit të gjallë të Kosovës, sic e quante ai Ramush Haradinajn.
Shteti shqiptar dhe ai i Kosovës duhet të interesohen për këtë legjendë sportit që emrin e shqiptarit e coi deri në majat më të sportit botëror në një prej kohëve më vështira për kombit tonë, në dhjetvjecarin e fundit të shekullit të kaluar.