Disa zhvillime, qëndrime e tendenca të shfaqura edhe në njëzet vjetorin e çlirimit sikur na obligoj e akoma më shumë i obligojnë studiuesit e ardhshëm të shkencave shoqërore e veçmas historianët që të hulumtojnë, gjurmojnë e rishikojnë sesi autorë të huaj e burime të ndryshme i shohin dhe i vlerësojnë zhvillimet në Kosovë në dekadën e fundit të shekullit XX e më theks të veçantë, sesi ata e shohin rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në ato zhvillime.
Edhe sot ia vlen që ta shohim se si e kanë parë e vlerësuar UÇK-në autorë të huaj të cilët disponojnë kredibilitet politik e shkencor. Konsiderojmë se autoret e huaj vlerë¬simet e tyre i kanë pa emocione dhe si të tilla, gjithsesi janë më realiste sesa mund t’i kemi ne me animet politike a ideologjike të mishëruara në ne. Duke i parë trajtimet që i bëhen luftës Nacionalçlirimtare shqiptare në 75 vjetorin e saj, se kush luftonte për lirinë e kush mrizonte nën hijen e pushtuesit të kohës, mbase nuk me habisin as mrizuesit e luftës së fundit çlirimtare në Kosovë.
Vetëm lufta çlirimtare e nxori në rend të ditës problemin e Kosovës dhe e shtroi atë për zgjidhje serioze politike. Sikur vendet e Bashkimit Evropian, të bënin një trusni më të fuqishme mbi politikën e Beogradit, por kjo nuk u bë asnjëherë pas vitit 1989, prandaj lufta kishte mbetur si opsion i vetëm dhe kjo ishte e domosdoshme . Këtë, ndoshta edhe më mirë do ta thonë, Volfgang Petriç dhe Robert Pihler, në librin: “…Kosova dhe Bashkësia Ndërkombëtare”, Prishtinë, 2002, ata shkruajnë:
“Çfarë nuk qe e mundur të arrihej për vite të tëra me protesta paqësore dhe mosbindje qytetare, u arrit brenda pak muajve me anë të dhunës: Kosova u bë qendra e vëmendjes së mediave, për këtë arsye kriza e saj politikisht nuk mund të lihej më pas dore. (…)”. Më pas autorët vazhdojnë dhe konfirmojnë se: “ … UÇK-ja arriti pikërisht atë qëllim, në të cilin Rugova kishte dështuar.” Sipas autorëve, ishte lufta Çlirimtare ajo që e tërhoqi vëmendjen e tyre për të marrë masat e duhura.
Autorët konfirmojnë se “ (…) Vetëm atëherë bashkësia ndërkombëtare u gjend e shtrënguar të merrte masa … ”Kurse, K. Hill, ambasadori amerikan në Shkup do të deklaron: “… askush nuk ishte i gatshëm t’i kushtonte vëmendje Kosovës, përderisa situata nuk eskaloi në dhunë ”.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joshka Fischer në librin e tij: “Vitet kuq-gjelbër – politika e jashtme gjermane nga Kosova deri më 11 shtator”. Më të drejt konstaton se pas Konferencës së Dejtonit, “shqiptarët e Kosovës kuptuan se pa luftë nuk do të realizonin kurrë synimet e tyre kombëtare ”. Madje askush më mirë se ky politikan nuk e tha qëllimin e vërtetë të politikës serbe të Millosheviqit. Ai konstatoi se qëllimi i vërtetë luftës se Millosheviqit ishte: “Jo lufta kundër UCK-së, por para së gjithash terrorizmi dhe dëbimi i popullatës shqiptare ishte qëllimi i vërtetë i luftës ”. Nëse lufta që Serbia bënte në Kosovë ishte terroriste dhe kishte qëllim dëbimin e popullsisë shqiptare, kjo ishte krim i gjenocidit në luftë, i cili krim kishte qëllim shkatërrimin e tërësishme ose të pjesshëm dhe si e tillë kjo ishte krim i gjenocidit.
Për të njëjtën gjë, eksperti ndërkombëtar, Marc Viller në librin e tij “Shtetësia e kontestuar: administrimi ndërkombëtar i luftës së Kosovës për pavarësi”, shkruan: “Përmbyllja e Marrëveshjes së Daytonit pa u përmendur Kosova në të, në thelb e minoi besueshmë¬rinë e qeverisë Rugova. Haptazi rezistenca pasive kishte dështuar. […] Në këtë klimë dekurajuese, ata që kishin insistuar për zgjidhje ushtarake menjëherë u bënë me ndikim”. Ketë po e thotë një njohës i mirë i rrethanave ndërkombëtare të kohës. Ndërsa britanezi, Misha Glenny në librin e tij “Historia e Ballkanit (1804-1999)”, trajton edhe zhvillimet e viteve të ’90 në Kosovë dhe në mes të tjerave ai ka shkruar: (citoj) “Politika e vetëpërmbajtjes e ndjekur nga Rugova bëri që Kosova të mbetej në paqe gjatë gjithë kohës së luftërave në Kroaci e Bosnjë. Mirëpo kjo paqe u shoqërua nga një gjendje stanja¬cioni politik dhe nga vazhdimi i shtypjes sistematike mbi shqiptarët”.
Ndërsa një autor tjetër i huaj, Raymond Detrez në librin e tij: “Kosova – lufta e shtyrë”, vije në përfundim se: “organizimi i një kryengritjeje të armatosur, kur dihet se kundërshtari do të kundërveprojë me dhunë të jashtë¬zakonshme, duke synuar kështu ndërhyrje nga jashtë, që sjell zgjidhjen e pritur politike”. Në ketë konstatim autori sigurisht që ka të drejtë, vetëm se kjo nuk mund të thuhet vetëm për Ballkanin. Në historinë politike të shumë luftërave edhe popujve më të mëdhenj se shqiptarët ju është dashur ndihma ose ndërhyrja e më të fuqishmeve. Për luftën çlirimtare të popullit tonë e sidomos rolin e UÇK-së në çlirimin e Kosovës, vlerësim mjaftë të saktë ka dhënë edhe autori, Serge Métais në librin e tij: “Historia e shqiptarëve – nga ilirët deri te pavarësia e Kosovës”, ku autori ka nënvizuar se: “U deshtë të shpërthente një luftë e re në ish-Jugosllavi, në mënyrë që udhëheqësit perëndimorë të bindeshin se kësaj radhe nevojitej të ndërhyhej ushtarakisht. Kjo luftë u nis nga UÇK-ja në pranverën e vitit 1998”. Për ketë autorë, ndërhyrja do të duhej të ndodhte para se të fillonte lufta e armatosur dhe të ndodhnin krimet e gjenocidi serb mbi shqiptarët në Kosovë.
Ndërsa për disa autorë të huaj, përfshirë këtu edhe Noel Malcolm-in, “meritat” për formimin e UÇK-së ia përshkruajnë politikës serbe e sidomos politikës shtypëse të Sllobodan Millosheviçit. Noel Malcolm në parathënien e librit të tij: “Kosova – një histori e shkurtër” (botimi i dytë i KOHËS), shkruan: “Politika serbe nxiti shtimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ekzistimi i së cilës atëbotë, u mor si pretekst i fushatës serbe të shkatërrimit të fshatrave të Kosovës në verën e vitit 1998. Së këndejmi, për¬pjekjet e qeverive të Perëndimit për ta ndërmjetësuar një marrëveshje, bazë e së cilës ishte rikthimi i autonomisë së Kosovës, dolën të pasuksesshme”. Nuk ka dyshim, politika serbe e udhëhequr nga Millosheviqi ishte një faktor përshpejtues, por populli shqiptar gjatë gjithë shekullit XX kishte bërë përpjekje të vazhdueshme për liri, për çlirim e bashkim kombëtar. Prandaj populli ynë kurrë nuk e kishte ndërprerë luftën për realizimin e aspiratës së tij kombëtare. Në këndvështrimin e njëjtë me Malcolm-it është edhe John G. Stoe¬ssinnger, i cili në librin: “Përse kombet shkojnë në luftë”, shkruan: “Nuk është për t’u çuditur që pas çdo barbarie radhët e UÇK-së shtoheshin në numër dhe me vrull. Nga pikëpamja historike Millosheviqi mund të dukej fare mirë si shef rekrutimi pa dashje i UÇK-së”. Ani pse Krimineli i padënuar serb për krim e gjenocid në Tribunalin e Hagës kishte llogaritur se politika e tij kriminale do të shkaktonte frikë e ikje nga Kosova.
Me interes janë konstatimet e Mark Veller- i cili nënvizon: “…Duke e zhvendosur UÇK-në nga disa zona për të cilat thoshte se i kon¬trollonte. Thuhej se ky veprim nuk ishte kundërshtuar ndërkombëtarisht, sepse qëllimi ishte të evitohej që UÇK-ja të kishte një rol dominues në negociatat që po vinin”. Si po shihet qëllimi i asaj strategjie, ishte: “që UÇK-ja të mos ishte në pozitë për ta penguar marrëveshjen të paraparë nga bashkësia ndërkombëtare”. Diçka ngjashëm me M. Veller-in, shkruan edhe James Pettifer në librin e tij “Ekspres Kosova”: “Në Perëndim komentatorë, si Carl Bildt-i, gjithnjë kishin kërkuar një forcë kontrollimi të kufirit për ta vënë nën fre dhe për ta mbyllur hesapin me UÇK-në”.
Besueshmërinë e këtyre që thonë autorët e përmendur padyshim që na shtojnë bindjen se rihapja e bisedimeve politike për statusin e Kosovës në vitin 2012 në Bisedimet e Brukselit dhe i gjithë debati i zhvilluar për korrigjimin e kufijve në mes Kosovës e Serbisë që po zhvillohen që një vit, kanë për qëllim kënaqjen e Serbisë e jo të shqiptarëve.