Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt takimi i Grupit punues për zbatimin e Strategjisë shtetërore dhe Planit të veprimit kundër krimit të organizuar 2018-2022.
Koordinatori i strategjisë, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z.Agron Bacaj theksoi se lufta kundër krimit të organizuar mbetet njëri ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme në veçanti. Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për të luftuar të gjitha format e krimit të organizuar.
Anëtarët e grupit punues, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, të përfshira në luftën kundër krimit të organizuar, kanë raportuar për aktivitetet, rezultatet, sfidat dhe sukseset e deritanishme në fushën e zbatimit të Strategjisë dhe planit të veprimit kundër krimit të organizuar.
Ishte vlerësim i përbashkët se me qëllim të koordinimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve në luftë kundër krimit të organizuar, është i rëndësishëm bashkëpunimi dhe koordinimi midis institucioneve përgjegjëse për parandalim dhe luftim të kësaj dukurie.
Bashkëpunimi dhe koordinimi ndër-institucional midis institucioneve është kusht për një punë më efikase në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar, sidomos në procesin e shkëmbimit të informatave, shkëmbim të përvojave si dhe veprimeve apo operacioneve të përbashkëta.