Janë publikuar mbi 1000 fotografi të papara deri më tash, nga koha e luftës në Kosovë.
Këto fotografi janë publikuar për herë të parë në emisionin COSMO të KTV-së, ku ato janë rrëfyer nga vetë autori i tyre, gazetari norvegjez Paul Refsadal, transmeton Koha.net.
Refsdal është një gazetar luftrash i cili përveç në Kosovë ka qenë edhe në Afganistan, Bosnje, Çeçeni, Irak sërish në Afganistan si dhe në Sirir. Ai ka qenë dy herë gjatë luftës në Kosovë, më 1998 dhe 1999, dhe madje gjatë vizitës së parë ai ishte plagosur nga ushtria serbe në Pashtrik.
Gjithsesi gjatë kësaj kohe, Refsdal ka shkrepur mbi 1000 fotografi në të cilat shihen ushtarë dhe civilë të plagosur duke u mjekuar nëpër spitalet e UÇK-së në Likofc, Abri dhe Gradicë. Pastaj ushtarë të UÇK-së gjatë stërvitjeve, patrullimeve, luftimeve dhe aktiviteteve të tyre ushtarake në Krumë, Koshare, Likofc, Rezallë, Abri etj.
Po ashtu në fotografitë e këtij koleksioni mund të shihen shqiptarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre, të strehuar në malet e Drenicës si dhe të tjerë që largohen si refugjatë në drejtim të Shqipërisë. Shumë të veçanta janë mbi 15 fotografi të Mujë Krasniqit, në të cilat ai shihet me paterica pasi ishte plagosur në këmbë.
Në këto fotografi Mujë Krasniqi është në shoqëri të Beqir Gashit gjersa komunikon me ushtarët e tij.
Historinë e këtij koleksioni me fotografi, i cili tashmë është bërë pjesë e Arkivit të Kosovës, të rrëfyer edhe nga vetë autori i tij, gazetari nga Norvegjia Paul Refsdal, mund ta mësoni nga emisioni COSMO në Kohavision.