Lufta për fuqi punëtore

Prishtinë | 08 Pri 2023 | 08:49 | Nga Ekonomia Online

Janë të shumta studimet që parashihnin se nga viti 2020 e tutje shtetet e pasura do t’i hynin një gare të tmerrshme për të siguruar fuqi punëtore për të mund mbajtur gjallë ekonomitë e tyre dhe sistemet sociale në rënie. Gjermania e Japonia – si dy shtete ndër më të zhvilluarat në glob – janë mes atyre që kanë dhe do të kenë më së shumti nevojë për fuqi të re punëtore.

Sfida kryesore e këtyre dy shteteve dhe e tërë botës së pasur është se prej nga do ta sigurojnë atë fuqi të re punëtore dhe sa do të pranohet ajo nga qytetarët e tyre, kjo për faktin se numri i madh i imigrantëve mund t’ua ndryshojë strukturën e popullsisë.

Përderisa SHBA e ka të rregulluar çështjen e imigracionit ngase aty ka edhe një frymë tradicionale shtetërore pro-imigracionit pavarësisht prejardhjes, në anën tjetër BE është duke u përballur me një rezistencë të jashtëzakonshme qytetare ndaj imigrantëve e aq më tepër ndaj prejardhjes së tyre. Pra, në njërën anë kemi qeveritë e vendeve të BE-së, të cilat janë plotësisht të vetëdijshme për rëniet demografike në rritje, ndaj dhe po mundohen t’ua hapin dyert imigrantëve së paku për t’i mirëmbajtur trendet ekonomike zhvillimore, ndërsa në anën tjetër janë qytetarët e vendeve të BE-së, ata të cilët nuk janë në gjendje të pranojnë këdo si imigrant dhe të cilëve as që u intereson se a ka apo jo shteti nevojë për imigrantë.

E për të ngelur konkurruese në glob, BE dhe vendet e saj duhet që patjetër të sjellin imigrantë që janë sa më të pranueshëm për qytetarët e tyre, përndryshe asnjë qeveri e asnjë vendi të BE-së nuk do të mund të rrijë në këmbë nëse ua hap derën imigrantëve aziatikë apo afrikanë. Janë dy shembuj që e dëshmojnë më së miri se çfarë imigrantësh janë në gjendje të (mos)pranojnë qytetarët e vendeve të BE-së: – Rasti i parë ka të bëjë me mbi 1 milionë sirianë që ishin futur në BE gjatë konfliktit në Siri: si rezultat i pakënaqësisë ndaj refugjatëve sirianë në shumicën e vendeve të BE-së qe rritur numri i përkrahësve të partive ekstremiste, gati 1/3 e Bundestag-ut dhe e Parlamentit Evropian qenë bërë me parti ekstremiste kundër të huajve; aq shumë qe paralizuar vendimmarrja saqë edhe pati filluar shpërbërja e BE-së përmes daljes së Britanisë së Madhe; me një fjalë qytetarët e vendeve të BE-së treguan se nuk ishin të gatshëm ashtu siç nuk janë as sot të pranojnë refugjatë aziatikë; – Rasti i dytë ka të bëjë me mbi 3 milionë ukrainas (ndoshta edhe më shumë) që ishin futur në BE pas agresonit rus në Ukrainë: pavarësisht që numri i refugjatëve ukrainas ishte dy apo trefish më i madh se ai i sirianëve, qytetarët e BE-së u solidarizuan aq shumë me refugjatët ukrainas saqë kjo s’i vuri fare nën presion qeveritë e vendeve të BE-së.

Përderisa në rastin e refugjatëve sirianë po rritej përçarja brenda BE-së, tërësisht e kundërta ndodhi me refugjatët ukrainas, ngase ardhja e tyre vetëm sa e unifikoi BE-në. Duke i parë dy shembujt e mësipërm është më se e qartë tanimë se rajoni i Ballkanit sa i përket ikjes së të rinjëve gjendet para “gojës së ujkut” bashkë me vendet e Evropës Lindore (Bellorusi, Ukrainë, Rusi, Kaukaz). Janë dy rajone këto, rinia e të cilave është më e pranueshmja nëpër vende të BE-së krahasuar me aziatikët dhe afrikanët. Rajoni i Ballkanit dhe Evropa Lindore përbëjnë dy rajonet më të varfëra në Evropë në së paku 200 vitet e fundit. Janë rajone që nuk kanë mund ta kapin fazën e industrializmit sikurse Evropa Perëndimore. Edhe atë industri që e kanë pasur gjatë periudhës komuniste është zhdukur. Pra, këto dy rajone janë de-industrializuar aq shumë duke humbur vende të shumta pune, saqë ikja e të rinjëve është e pashmangshme. Fundja ky është çmimi që paguajnë vendet e varfëra kur popullsitë e kanë të drejtën të lëvizin drejt vendeve të pasura.

Për fat të keq, BE asnjëherë nuk ka treguar interes ta zhvillojë p.sh. Ballkanin që ka një popullsi afërsisht sa Koreja Jugore me mbi 50 milionë banorë. Sepse ndërtimi i një Koreje Jugore në Ballkan automatikisht do të thonte humbje e ekonomive të fuqishme në BE. Mjafton të shohim mosinvestimet e BE-së në porte detare shqiptare, për ta kuptuar se asnjë vend i BE-së nuk është i interesuar të ndërtojë portet detare shqiptare, ngase kjo automatikisht do t’u shkaktonte humbje në portet e tyre. BE edhe sot kritikon vendet e Ballkanit se nuk po e luftojnë sa duhet korrupsionin dhe krimin e organizuar si arsyetim për të mos investuar aty, ndërsa ato kritere që ia kërkon Ballkanit s’ua kërkon fare vendeve me mega-tregje anekënd globit. Kjo më së miri shihet te shkëmbimet tregtare dhe investimet e BE-së të përqendruara kryesisht në Rusi, Kinë, Indi, Meksikë, Brazil, Turqi, Vende Arabe, Azi Juglindore, etj. shtete këto që janë bindshëm më keq sesa Ballkani sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar. Investitorët duan tregje të mëdha ku mund të prodhojnë e shesin njëkohësisht, e jo tregje të vogla e me probleme siç është Ballkani, sepse sa më i madh tregu aq më i madh fitimi. Ka harruar si duket BE që pa investime amerikane pas Luftës së Dytë Botërore (L2B) nuk do të ishte ku është sot. E investimet amerikane s’pyesnin fare për kritere në një Evropë që ishte shkatërruar nga L2B. E ishin pikërisht investimet amerikane përmes Planit Marshall, ato që i kishin dhënë shtysë të madhe zhvillimore BE-së, e cila mezi po e mbushte barkun bukë pas L2B.

Ndërkohë, që BE nuk e bën të njëjtën gjë në Ballkan me arsyetime nga më banalet duke e fshehur kështu afshin për tregje të mëdha, ku përfitimet janë eksponencialisht më të mëdha sesa në Ballkan. Është pikërisht kjo qasje e BE-së ndaj Ballkanit, ajo që ua ka hapur dyert Rusisë, Kinës, Turqisë dhe Vendeve Arabe që ta shtrijnë ndikimin e tyre në Ballkan çdo vit e më shumë. Kjo qasje e BE-së do të ketë efekte tejet negative në ekonomitë e Ballkanit, të cilat me ritmet frikshme të ikjes së të rinjëve do të tkurren çdo vit e më shumë. Mbështetja e fuqishme e SHBA-së ndaj Ukrainës si dhe intensifikimi i angazhimit të saj në Ballkan, janë shpresë që rajoni të marrë kahje transatlantike me premisa zhvillimore. Sigurisht që edhe vendet e Ballkanit përpos që duhet t’i përshpejtojnë reformat ato duhet edhe që t’i hapin sa më shumë ekonomitë e tyre për t’i hyrë konkurrencës rajonale, evropiane e globale.

Të ngjashme