Blic.rs jo vetëm që po shpif në formë të ndytë, por po rrezikon sigurinë kombëtare të Kosovës, duke e dëmtuar të vërtetën për Kosovën në tërësi.
Qëllimi është ndikimi negativ në vendimmarrësit botëror për Kosovën, të vërtetën e luftës çlirimtare, të vërtetën e popullit të Kosovës.
Ramush Haradinaj nuk është përzgjedhur rastësisht dhe as në kohë të rastësishme.
Blic.rs ka rifilluar këtë në katër-vjetorin e lirimit të Haradinajt nga procesi i dytë në Hagë ndaj tij, ku Trupi Gjykues ka gjetur se Haradinaj jo vetëm që nuk ka bërë krime, por është përkujdesur personalisht që të mos ndodhin ato.
Lexojeni vendimin e Gjykatës dhe e keni të qartë.
Kjo, që tashmë është identifikuar si “Lufta informative me qëllim dezinformimi”, është kthyer në një sfidë globale të sigurisë.
Institucionet e Kosovës në përgjithësi duhet të kenë qasje strategjike për t’u përballur me luftën informative, që ka marrë hov në tërë botën perëndimore dhe në Ballkan.
Zyrtarë të lartë të shteteve demokratike, përfshirë këtu SHBA, Gjermaninë dhe vendet skandinave, e kanë pranuar se po përballen me “Luftën informative me qëllim çorientimi” që udhëhiqet nga Federata Ruse.
Kjo lloj lufte është më e rëndë se sa Lufta e Ftohtë midis Perëndimit dhe Komunizmit.
Për këtë duhet të jemi të vetëdijshëm të gjithë.