Valuta kineze ka zbritur në nivelin më të ulët ndaj dollarit amerikan që prej muajit nëntor të vitit të kaluar, një veprim që pritet të nxisë më tej luftën tregtare midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës.
Përmes zhvlerësimit të monedhës kombëtare, Kina mund të reduktojë ndikimin e tarifave të reja nga ShBA-ja dhe t’i bëjë eksportet e saj drejt saj më të lira.
Nga ana tjetër, një luhatje e madhe e huanit kinez mund të nxisë një largim të madh të parave nga vendi gjë që do të dëmtonte stabilitetin ekonomik të Kinës.
Presidenti Donald Trump në një intervistë për Fox News, u shpreh se tarifat kanë nisur të largojnë kompanitë amerikane nga Kina drejt Vietnamit apo vendeve të tjera në Azi, sipas tij, nga marrëveshja me Kinën nuk mund të përfitojnë në mënyrë të barabartë të dyja palët.
Deri më tani nuk është caktuar një datë për raundin e radhës të negociatave mes palëve, që përfundoi pas dështimit me rritjen e tarifave ndaj produkteve kineze me vlerë 200 miliardë dollarë.