Kryeministri Ramush Haradinaj, në një konferencë për medie së bashku me Petrit Selimin, koordinator i Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit, dhe Sara Olmstead, nga MCC, tha se përfitimi i fondit prej 49 milionë dollarë, është lajm i mirë sidomos për të rinjtë e Kosovës.
Haradinaj tha se këto para do të ndikojnë në kursimin e energjisë, në efiçiencën e energjisë, si dhe në përmirësimin e jetës së të rinjve në Kosovë.
“Është një lajm i mirë për Kosovën nënshkrimi i një marrëveshje për grant për Kosovën, Fondi i Sfidave të Mileniumit. Biseduam për efektet e kësaj marrëveshje që do t’i ketë në Kosovë, veçanërisht për të gjitha ato efekte që do t’i ketë në kursimin e energjisë, në sferën e efiçiencës në energji, por edhe në drejtime të tjera të jetës sonë. Jam i bindur, se me lajme të tilla, do të konfirmojmë që të rinjtë tonë mund ta bëjnë jetën në Kosovë dhe jo të kërkojnë shpresë në vende të tjera”, tha kryeministri.
Udhëheqësja e ekipit të Sfidave të Mijëvjeçarit në Kosovë, Sarah Olmstead, është shprehur e lumtur që ky fond i ndarë për Kosovën do të ndihmoj në krijimin e një të ardhme më të mirë dhe rikthimin e besimit në Qeveri.
“Dua të shpreh në emër të Sfidave të Mijëvjeçarit dhe Qeverisë së Amerikës, sesa të entuziazmuar jemi që punojmë me Kosovën. Ky është programi ynë i parë në këtë rajon pas shumë kohësh, dhe mezi po presim të fillojmë punën dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë të cilën kryeministri Haradinaj e përmendi, dhe shpresojmë të ndërtojmë besimin në Qeveri dhe të ndihmojmë në krijimin e një bote më të mirë”, tha Olmstead.
Kurse, Petrit Selimi, koordinator nacional për Sfidën e Mijëvjeçarit në Kosovë, tha nëse vendi vazhdon të përmirësojë sundimin e rendit dhe të ligjit si dhe të rrisë luftën kundër korrupsionit do të mund të përfitonte më shumë fonde, raporton Ekonomia Online.
“Ka dy lloje fondesh për të cilat duhet kaluar notat. Kosova e ka kaluar testin për marrjen e një tipi të fondeve, që është parapërgatitje për tipin tjetër të fondeve. Kështu vendi mund të kualifikohet për mjete tjera nëse punohet dhe arrihet progres i mëtutjeshëm”.
Selimi tha po ashtu se për tri vjetët e ardhshme do të investojmë një shumë prej 49 milionë dollarë, që është granti më i madh amerikan që nga paslufta, në fusha shumë të rëndësishme për ekonominë kosovare.
“Këto 49 milionë janë rezultat i punës dhe progresit. Ka plot shtete tjera që nuk janë fare pjesë dhe nuk kanë të drejtë për t’i përfituar këto fonde, sepse nuk kanë bërë punë të mjaftueshme në këtë drejtim”.
“Ky fond shënon fillimin e një mundësie të re emocionuese për institucionet e Kosovës, shoqërinë civile dhe sektorin privat. 49 milionë dollarë është shumë e më e madhe e dyta shumë më e madhe në historinë e MSS”.
Selimi ka thënë se nga fundi i vitit do themelohet fondi ku edhe do ketë mundësi që të shfrytëzohen të ardhurat.
Presidenti Hashim Thaçi, ka nënshkruar marrëveshjen mes Kosovës dhe MCC-së. Programi “Threshold” i MCC-së është përqendruar në fushat kritike për të ardhmen e Kosovës, dhe ai do të shpejtojë investimet në efikasitetin e energjisë dhe do të mbështesë përpjekjet për të promovuar një qeverisje efektive dhe llogaridhënëse.