Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për Marrëveshjen e Financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për Covid-19”, që është financim shtesë ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati tha se shtesa kap vlerën prej 15 milionë euro për luftim të pandemisë.
“Marrëveshja kap vlerën prej 15 milionë eurove dhe vjen si vazhdimësi e marrëveshjes bazë. Mjetet financiare do të destinohen si përgjigje e pandemisë”.
Tutje, të gjitha vendimet që u morën në mbledhjen e Qeverisë:
Vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë për themelimin e Grupit Punues ndërinstitucional për rishikimin e Strategjisë së Sigurisë të Republikës së Kosovës 2021-2030, ka qenë i pari i miratuar në mbledhjen e sotme. Me ndryshimet e bëra, Shefi i Stafit në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës është kryesues i grupit punues, ndërsa këshilltari për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes i kryeministrit është zëvendës-kryesues i Grupit Punues dhe z.Hajriz Sejdiu nga Qendra për Menaxhimin e Emergjencave, anëtar. Afati i rishikimit të Strategjisë së Sigurisë të Republikës së Kosovës është deri më 1 shtator 2021, nga dita e hyrjes në fuqi e këtij vendimi.
Në vazhdim të mbledhjes, ka marrë miratimin Projektligji për Ratifikimin e Amendamentimit të Marrëveshjes Ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime për Financimin e Projektit për Rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10. Me këtë Ligj ratifikohet marrëveshja në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për financimin e projektit të rehabilitimit të linjës hekurudhore 10.
Është miratuar në vazhdim të mbledhjes edhe vendimi për shtyrjen e afatit për katër (4) muaj për të paraqitur Draftin e Strategjisë se Qeverisjes Elektronike për miratim ne Qeveri. Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarr hapat e nevojshëm për finalizimin e draft-strategjisë për qeverisjen elektronike.
Qeveria në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe miratuar nëntë (9) nisma për negocim të marrëveshjeve ndërkombëtare:
Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar Raportin Vjetor të Statistikave për vitin 2020, sipas procedurave të parashikuara në Rregulloren e Punës së Qeverisë. Raporti përmban të gjitha të dhënat e nevojshme dhe në përputhje me legjislacionin që rregullon funksionimin e statistikave në vendin tonë. Pas miratimit nga Qeveria ky raport dërgohet për miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar në mbledhjen e sotme Projekt-udhëzimin Administrativ për Regjistrimin e Zyrave së Përfaqësisë të Shoqërive të Huaja Tregtare, që është kërkesë e Ligjit për Shoqëritë Tregtare dhe përmes tij përcaktohet procedura e regjistrimit të zyrave përfaqësuese të shoqërive të huaja tregtare në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë.
Pas shqyrtimit, ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe Drafti i Planit të Veprimit për zbatimin e Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike për vitin 2021, i cili synon arritjen e rezultateve në fushat:
Me plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, Bedri Zyberaj, drejtor i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, emërohet anëtar i këtij Këshilli.
Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për rimbursimin në formë të kompensimit për pjesëmarrësit të cilët i kanë tërhequr dhjetë për qind (10%) të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, duke filluar nga viti 2023. Shuma e rimbursuar për çdo vit fiskal deri në masën e përcaktuar me Ligjin për ndarjet buxhetore në vitin fiskal përkatës. Janë 372,650 persona përfitues në shumën totale 101,772,415.81 Euro.
Ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për Krijimin e Komitetit Nacional Koordinues për hartimin e Planit Nacional të Veprimit për vitet 2022-2024, në kuadër të partneritetit për qeverisje të hapur. Vendimi obligon Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal që të fillojë me procedurat e krijimit dhe të udhëheqjes së këtij Komiteti në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile.
Në mbyllje të mbledhjes, Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar anëtarët e kabinetit për angazhimin e tyre në përgatitjen e raportit të punës për 100 ditët e para të kësaj Qeverie. Kryeministri ka theksuar se qytetarët e vendit duhet të informohen për gjithë punët dhe arritjet e këtij kabineti në funksionimin 100 ditor të Qeverisë së Kosovës, në këtë mandat.