Disa orë pasi që Manchester Unitedi pësoi një humbje tjetër dëshpëruese në Premier League, Romelu Lukaku shënoi golat e tij të tetë dhe të nëntë këtë stinor, ndërsa Interi u kthye nga disavantazhi dhe triumfoi 2:1 ndaj Bolognas, të shtunën.
Lukaku shënoi nga afërsia dhe më pas realizoi një penallti në çastet e fundit, për t’u bërë lojtari i parë i Interit që ka shënuar nëntë gola në 11 ndeshjet e para në Serie A, qëkur këtë e bëri braziliani Ronaldo në stinorin 1997-98, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”.
Braziliani kishte përfunduar stinorin me 25 gola, ndërsa Interi përfundoi atëbotë në vend të dytë prapa Juventusit. Janë rezultate që Lukaku e trajneri Antonio Conte shpresojnë të përmirësojnë këtë stinor.
Lukaku u largua nga Manchester Unitedi këtë verë, duke siguruar një transferim të madh te Interi për 65 milionë euro, plus bonuse. Manchester Unitedi nuk e zëvendësoi atë.
Por, derisa Unitedi ka shënuar vetëm 13 gola në 11 ndeshje, më pak edhe se Bournemouthi, skuadra e cila e mposhti 1:0 të shtunën, Lukaku ka shpërthyer.