Pas masave të reja lehtësuese do të ketë sërish shtim të rasteve të të infektuarve, por situata do të jetë nën menaxhim të vendit thotë mikrobiologu Lul Raka.
Ai parasheh se kjo rritje do të vijë si shkak i lëvizjes dhe kontakteve më të shpeshta të qytetarëve por nuk beson se numri i rasteve mund të kalojë kulminacionin prej 79, tha ai për dokumentarin Expose.
“Rritje të lehtë të numrit të rasteve ka me pasë për shkak të qarkullimit më të madh të njerzve por nuk besoj se kjo rritje do ta kalojë kulminacionin 79. Kjo krejt përsëri varet prej sjelljes së qytetarëve të Kosovës sepse krejt duhet ta dine se jeta nuk ka me qenë si me 12 Mars një ditë para rastit të parë dhe duhet të mbahet distancimi social deri në gjetjen e vaksinës. Mirëpo është e qartë se izolimi nuk mund të vazhdojë deri në vaksinë, është e pamundur dhe tani vjen stadi i dytë i lehtësimit të masave. Lehtësimi është hap pas hapi me pa rezultatet dhe non stop me përcjell lakoren epidemiologjike sepse nese nuk i zbatojmë masat nëse kemi kthim të numrit të rasteve mund të kthehen përsëri masat e rrepta”, tha Raka.
Raka thotë se virusi mund të kthehet sërish në vjeshtë
“Në vjeshtë parashikimet janë në nivel global, sepse virusi nuk do të zhduket. Në vjeshtë do të kemi një numër të madh të njerëzve që janë prek nga virusi dhe një numër prej tyre që kanë qenë asimptomatik. Për së dyti ky virus nuk i prek ato që janë prek njëherë. Në vjeshtë do të jemi më të përgatitur do të kemi kapacitete më të mëdha dhe mund t’ja dalim më mirë dhe gama e epidiemilogjisë do të jetë më e ulët”, thotë Raka.