Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është takuar në Washington me presidentin amerikan Donald Trump.
Në kohë fushate në Shqipëri, Basha ka qëndruar në SHBA dhe tani në Facebook ka postuar një fotografi të përbashkët me predidentin Donald Trump, për të cilin thotë se ka pasur një takim të jashtëzakonshëm.
“Takim i jashtëzakonshëm me Presidentin Donald Trump! Vizioni dhe kauza e tij janë frymëzim dhe inkurajim kolosal për lëvizjen tonë për një Republikë të qytetarëve, me ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurt për të gjithë shqiptarët”, ka shkruar ai.
Basha qëndroi në SHBA për Javën e Shtëpisë së Bardhë për Zhvillimin e Fuqisë Punëtore ku po diskutohen iniciativat e administratës Trump mbi uljen e taksave, trajnimin profesional, stazhet e punës dhe financimin e studimeve.
“Mirënjohje të pakufishme Presidentit Trump dhe SHBA për mbështetjen për Shqipërinë dhe shqiptarët”, ka përmbyllur ai përshkrimin e fotografisë.