Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim pune, përfaqësues të shoqërisë civile, me të cilët diskutoi për procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 11 qershor 2017.
Gjatë këtij takimi kryeprokurori Lumezi, i njoftoi të pranishmit se Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të vitit 2017.
Kryeprokurori Lumezi theksoi në këtë kontekst është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit në mes të Prokurorit të Shtetit, KQZ-së, PZAP-it, KGJK-së dhe Policisë së Kosovës me qëllim të ngritjes së nivelit të bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm për parandalimin e shkeljeve ligjore duke përfshirë hetimin, ndjekjen dhe gjykimin efikas të të gjitha veprave penale kundër të drejtave të votimit (kapitulli XVIII të Kodit Penal).
Gjithashtu, kryeprokurori Lumezi i informoi të pranishmit se është miratuar dhe ka hyrë në fuqi Plani i veprimit të sistemit prokurorial qe përcakton detyrat dhe obligimet e prokurorëve gjatë procesit zgjedhor.
Prokuroria së bashku me Policinë e Kosovës kanë miratuar “Procedurat standarde të veprimit” me qëllim të specifikimit të veprimeve të përbashkëta standarde në të gjitha rastet që ndodhin gjatë procesit zgjedhor. Në planin e veprimit të sistemit prokurorial është përcaktuar funksionimi i dhomës operative për koordinim me të gjithë prokurorët që do të kryejnë detyrën e tyre në të gjitha 38 komunat e Republikës së Kosovës, respektivisht në 7 objektet e prokurorive themelore dhe në 31 stacionet e policisë në ato komuna ku prokuroria nuk ka objekt të vetin.
Kreu i Prokurorit të Shtetit ndër të tjera informoi se në këto zgjedhje të parakohshme do te angazhohen rreth 100 prokurorë dhe numër i mjaftueshëm i personelit të sistemit prokurorial.
Në fund të takimit kryeprokurori Lumezi iu bëri thirrje përfaqësuesve të OJQ-ve që nëse kanë ndonjë informatë se mund të jetë kryer ndonjë vepër penale që ndërlidhet me zgjedhjet t’ia paraqesin ato Prokurorit të Shtetit.
Ndërkaq, përfaqësuesit e shoqërisë civile e informuan kryeprokurorin Lumezi për angazhimin e tyre në zgjedhjet e 11 qershorit dhe u zotuan që për çdo parregullsi që do të shohin do të bashkëpunojnë me institucionin e Prokurorit të Shtetit.