Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim Drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri, përfaqësuesit e GIZ-të dhe ekspertët nga Administrata Tatimore e landit të Bavarisë në Gjermani ku kanë diskutuar për modalitetet për zhvillimin e projektit në të ardhmen.
Kryeprokurori Lumezi, fillimisht i ka njoftuar të pranishmit me funksionimin e institucionit të Prokurorit të Shtetit, si dhe, ka theksuar se synim kryesor i institucionit të cilin e udhëheq ai, është luftimi i suksesshëm i krimit në Republikën e Kosovës dhe kontributi në sigurimin e sundimit të ligjit.
Ndërkaq, Sakipi dhe përfaqësuesit e GIZ-it, e kanë njoftuar Kryeprokurorin Lumezi, se Projekti për Reformën e Sistemit të Financave Publike në Kosovë i implementuar nga Bashkëpunimi Ndërkombëtar Gjerman (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH), në emër të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), mbështet Ministrinë e Financave dhe Administratën Tatimore të Kosovës në implementimin e reformave dhe përmbushjen e strategjive në fushën e financave publike.
Po ashtu, kanë theksuar se bashkëpunimi me Administratën Tatimore të Kosovës, synon krijimin e parakushteve për zbatimin uniform të ligjeve tatimore dhe trajtimin e barabartë të tatimpaguesve.
Gjithashtu, ata kanë theksuar se për këtë qëllim në kuadër të ATK-së, është krijuar Zyra për Gjoba dhe Ndëshkime Administrative, e cila shqyrton të gjitha rastet në të cilat mund të këtë gjoba dhe ndëshkime dhe vendos për këto të fundit. Në të ardhmen synohet që ZGjoNA të ketë bashkëpunim me Prokurorinë, Gjykatat dhe institucionet tjera për zbatimin e ligjit në fushën e shkeljeve të mundshme tatimore dhe kundërvajtjeve.
Kryeprokurori Lumezi ka potencuar se prioritetet kryesore i Prokurorit të Shtetit, është ndjekja e suksesshme e krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve ekonomike, financiare
dhe veprave penale që rrënojnë bazat e ekonomisë së vendit. Andaj, për këtë qëllim Prokurori i Shtetit do të rris bashkëpunimin me Administratën Tatimore të Kosovës.