Lumezi: Hetimet për katër të arrestuarit nga Siria kanë nisur disa vjet më parë

Prishtinë | 20 Pri 2019 | 13:13 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ndaj katër personave të kthyer në Kosovë nga Siria është rifilluar procedura penale kundër tyre. Kjo procedurë ka filluar vite më parë mirëpo është pezulluar, kështu tha  kryeprokurori i shtetit,  Aleksander Lumezi në një konferencë për medie, raporton Ekonomia Online.

“Nga numri i përgjithshëm i personave, për katër personat prokuroria speciale ka filluar gjatë viteve të kaluara hetime. Nga të dhënat dhe hetimet se ata kanë kryer vepra penale terroriste dhe pjesëmarrja në luftëra jashtë territorit të Kosovës, ndëshkueshëmria është 3 deri në 15 vjet. Duke pasë parasysh se personat e përfshirë nuk kanë qenë të arritshëm për autoritetet ndjekës të Kosovës është pezulluar procedura penale ndaj tyre. Sot pas informatave të policisë kemi marrë vendimin për ndalimin e katër shtetasve të cilët kanë marrë pjesë si luftëtarë në Siri. Tani ata janë në masën e ndalimit dhe shpejt pritet brenda afateve ligjore që prokurori të merr masat ligjore për të pandehurit”, tha Lumezi.

Ai ka treguar se deri më tani aktakuzë është ngritur për 119 persona.

“Deri më tani për 119 persona kemi ngritë akte akuzuese. Për disa të tjerë jemi në fazën e hetime. Dihen emrat e mbiemrat dhe vende e këtyre katër personave por tani nuk mund ti bëjmë publike.  Ata që kanë heqë dorë nga statusi i shtetasve të Kosovës do fillojë procedura administrative për iu dhënë atyre shtetësinë e Kosovës nëse ata kërkojnë”, tha Lumezi.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, tha se ndaj personave që janë nën hetime ka në fuqi urdhër arreste.

“Ndaj personave që i kemi në hetime ka qenë në fuqi urdhër arreste. Kur ndalohen nga policia sillen në prokurori”, tha Hoxha.

Sot ka mbajtur konferencë edhe ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj dhe drejtori i Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani, nga të cilët u bë e ditur se 110 shtetas shqiptarë janë kthyer nga Siria mbrëmë, prej të cilëve 4 luftëtarë, ndërsa të tjerët gra e fëmijë.

Të ngjashme