Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se edhe përkundër sfidave që kanë pasur vitin e kaluar janë të vendosur që të përballen me çdo formë të krimit, raporton Ekonomia Online.
Madje sipas tij, në këtë rrugë nuk do të mund t’i ndalë askush, ngase siç thotë ai ky është interes i shtetit.
Lumezi në konferencën vjetore të prokurorëve, shtoi se është e nevojshme të forcohet edhe më shumë vetëdija e prokurorëve të shtetit për domosdoshmërinë e rritjes së efikasitetit dhe vendosmërisë në ndjekjen, zbulimin dhe ndëshkimin e rasteve.
“Gjatë vitit që e lamë pas, ne kemi qenë unikë, duke treguar forcën tonë që e përbëjmë të gjithë së bashku si Prokurori e Shtetit, si dhe kemi dëshmuar vendosmëri për t’u përballur me çdo formë të krimit dhe në këtë rrugë nuk do të na ndalë askush, sepse ky është interesi i shtetit dhe ne veprojmë në emër të shtetit”.
“Shoqëria me të drejtë është duke pritur nga prokurorët që nëpërmjet hetimeve të mirëfillta dhe të paanshme të kontribuojnë në pastrimin e shtetit, politikës dhe institucioneve nga korrupsioni, nepotizmi, abuzimi dhe çdo formë tjetër e krimit që i cenon marrëdhëniet juridike-shoqërore”, tha ai, raporton EO.
“Prandaj është e nevojshme të forcohet edhe më shumë vetëdija e prokurorëve të shtetit për domosdoshmërinë e rritjes së efikasitetit dhe vendosmërisë në ndjekjen, zbulimin dhe ndëshkimin e këtyre rasteve. Për trajtimin e lëndëve të korrupsionit të nivelit të lartë, kemi nevojë për njerëz profesionistë, të guximshëm, me integritet dhe të trajnuar, që sigurisht ekzistojnë brenda sistemit prokurorial”.
Ai më tej ka shtuar se kanë pranuar në punë 43 mijë e 446 kallëzime – lëndë penale, ndërsa i kanë zgjidhur 49 mijë e 381 lëndë penale.
“Për ta dëshmuar këtë, theksoj faktin se gjatë vitit 2020, Prokurori i Shtetit ka pranuar në punë 43 mijë e 446 kallëzime – lëndë penale, ndërsa ka arritur t’i zgjidhë 49 mijë e 381 lëndë penale. Respektivisht, janë zgjidhur edhe 5 mijë e 935 kallëzime – lëndë penale të bartura nga vitet paraprake”.
“Bazuar në indikatorët e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ), numri i lëndëve të zgjidhura në raport me numrin e lëndëve të pranuara gjatë kësaj periudhe, rezulton që norma e zgjidhjes së lëndëve nga Prokurori i Shtetit është 113,66%”.
Lumezi tha se edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet sfidë, por që thotë se kanë shënjëstruar edhe gjashtë raste të reja.
“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është agjendë shtetërore e Republikës së Kosovës dhe një element shumë i rëndësishëm në rrugën integruese të shtetit tonë në familjen e madhe evropiane”.
“Në këtë drejtim kemi shënjestruar edhe tetë raste të reja që kanë të bëjnë me korrupsionin e nivelit të lartë, krimin e organizuar dhe krimet e tjera të rënda, duke e dërguar në 69 numrin e rasteve të shenjëstruara. Rëndësi të madhe i kemi kushtuar edhe luftimit të krimit të organizuar. Gjatë vitit të kaluar, Prokurori i Shtetit ka zgjidhur shtatë raste me 34 persona, nga gjithsejtë raste sa i ka pranuar në punë”.
Kur foli për krimet e luftës, ai tha se kanë caktuar edhe një prokuror të ri, duke e çuar në katër numrin e prokurorëve që merren ekskluzivisht me këto raste, raporton EO.
“Lidhur me trajtimin e krimeve të luftës, dëshiroj të nënvizoj faktin se janë bërë hapa pozitivë në fuqizimin e Departamentit të Krimeve të Luftës, i cili funksionon në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ku krahas strategjisë për trajtimin e krimeve të luftës, është caktuar edhe një prokuror i ri në këtë departament, duke e çuar në katër numrin e prokurorëve që merren ekskluzivisht me këto raste”.
Ai më tej ka shtuar se vettingu në sistemin gjyqësor duhet të përqendrohet në fuqizimin e komisioneve, të cilat funksionojnë brenda Këshillit prokurorial dhe atij gjyqësor.
“Institucioni i Prokurorit të Shtetit ka kontribuar në mënyrë aktive edhe në grupet punuese të Rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit dhe hartimin e Koncept-dokumentit lidhur me modalitetet e llogaridhënies në sistemin e drejtësisë në Kosovë”.
“Kjo reformë apo vetting në sistemin gjyqësor duhet të përqendrohet në fuqizimin e komisioneve, të cilat funksionojnë brenda Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor, duke e ngritur kështu llogaridhënien, transparencën dhe profesionalizmin e bartëseve të funksioneve prokuroriale dhe gjyqësore”.