Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka deklaruar se kanë prova për vrasjen e ish-liderit serb Oliver Ivanoviq.
Ky rast është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, dhe me të po merren një prokuror shqiptar dhe një serb.
“Ne i kemi disa prova, të cilat i kemi siguruar deri tani, mirëpo nevojitet që ende të marrim veprime për zbulimin e identitetit të kryerësit të veprës penale”.
Sipas Lumezit shteti i Serbisë pavarësisht kërkesave nuk po bashkëpunon me organet e drejtësisë kosovare për zbardhjen e identitetit të vrasësit.
“Ka pasur kërkesa edhe nga autoritetet e Serbisë që të bashkëpunojmë në këtë drejtim, mirëpo ne u kemi thënë se ne jemi të gatshëm të t’i marrim të gjitha informacionet të cilat ata eventualisht i posedojnë për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, siç është e paraparë edhe me ligjin për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Nuk na kanë dhënë ende informacione, jemi duke pritur”, ka thënë Lumezi për arbresh.info
Oliver Ivanoviq është vrarë me armë zjarri mëngjesin e 16 janarit, deri sa po shkonte në zyrën e tij.