Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, është duke marrë pjesë në konferencën me karakter ndërkombëtar të kryetarëve të gjykatave supreme dhe prokurorëve të përgjithshëm, e cila po mbahet në Budvë të Malit të Zi.
Qëllimi i kësaj konference treditore, në të cilën janë duke marrë pjesë kryetarë të gjykatave supreme, prokurorë të përgjithshëm dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë nga SHBA-ja, Austria, Hungaria, Turqia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Kroacia, Lituania dhe Sllovenia, është diskutimi për mbrojtjen penale juridike dhe mekanizmat e luftës kundër terrorizmit, migracioneve të paligjshme si dhe koordinimi i ndihmës dhe bashkëpunimit juridik ndërkombëtar ndërmjet shteteve pjesëmarrëse.
Në këtë kontekst, Kryeprokurori Lumezi para fillimit të kësaj konference është takuar me kryeprokurorët nga Turqia, Sllovenia, Mali i Zi, Shqipëria, Austria dhe Hungaria.
Ndërsa, pjesëmarrës nga delegacioni i Kosovës në këtë konferencë është edhe Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci.