Lumezi: Nuk kam pasur ofertë nga PDK-ja

Prishtinë | 11 Dhj 2017 | 21:39 | Nga

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka folur për KALLXO.com për bashkëbisedimet e përgjuara që sonte i publikoi KTV në të cilat zyrtarë të lartëtë PDK-së flisnin për një angazhim të mundshëm të tij brenda partisë.

Lumezi, në një deklaratë për KALLXO.com konfirmoi se është takuar me “personat në fjalë”, duke aluduar në dy zyrtarët e lartë të PDK-së, Adem Grabovcin e Besim Beqajn, të cilët, sipas përgjimeve, po bënin plane bashkë me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselit që atij t’ia ofronin librezën e partisë dhe mundësinë që të kandidonte për kryetar të Prishtinës nën siglën e PDK-së.

“Edhe pse kanë kaluar 5 vjet nga ngjarjet për të cilat bëni pyetje, me sa mbaj në mend, unë jam takuar dhe përshëndetur me zotërinjtë në fjalë, edhe pse vërtetë nuk i mbaj në mend detajet e këtij takimi. Kjo është periudha kur kam pasur takime edhe me përfaqësuesit e partive tjera politike ne ceremonitë e ndryshme të organizuara nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare”, tha Lumezi.

Por ai mohoi të ketë marrë ndonjë ofertë nga PDK për të kandiduar për kryetar të Prishtinës.

“Jo. ! Një ofertë të tillë jo vetëm që e kisha refuzuar, por e kisha mbajtur edhe në mend, sepse nuk ndodh shpesh që dikush ju propozon për njeriun e parë të kryeqytetit.

“Unë ofertë të tillë nuk e kam marrë deri më tani dhe as besoj që do ta marr sepse tërë jetën e kam kaluar në profesion për të cilin jam shkolluar dhe nuk e kam ndërmend me e ndryshu kursin e jetës”, tha Lumezi për KALLXO.com.

Kjo është hera e dytë brenda pak javësh që Lumezi gjendet në shënjestër të opinionit publik pasi më herët raportimet për falsifikim të provimit të jurisprudencës shtynë prokurorinë të bëjë hetime në dosjen e tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme