Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se prokurorët janë të pavarur në hetimet e tyre dhe askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punën e prokurorëve.
Lumezi i bëri këto komente për Kallxo.com, kur u pyet rreth deklarimeve të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka rreth hetimit të përgjimeve që po bëhen nga prokurorja speciale Drita Hajdari.
”Prokurorët janë tërësisht te pavarur në kryerjen e funksioneve të veta dhe kanë përgjegjësi për hetimin e personave te dyshuar për kryerjen e veprave penale. Askush nuk ka të drejtë, e sidomos jo kryeprokurori i nivelit më të ulët të ndikojë në punën e prokurorit te Prokurorisë Speciale derisa ai kryen funksionin e tij të ligjshëm të ndjekjes”, tha Lumezi.
Imer Beka i ftuar në një emision televiziv kishte thënë se masat e fshehta me dispozita ligjore nuk do të duhej të dilnin. Beka më tej tha se është i habitur se çfarë baze ka gjetur gjykata që e ka hedhur poshtë kërkesën për masë të përkohshme.
Beka tha se nuk po i referohej rastit të Adem Grabovcit në veçanti por të gjitha rasteve të masave të fshehta.
Për deklaratat e Lumezit edhe kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, ka reaguar duke dërguar një letër ku kërkon sqarime Këshillit Prokurorial të Kosovës.