Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur në takim njoftues Shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power. Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i projektit të ri të Këshillit të Evropës për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore.
Fillimisht, Kryeprokurori Lumezi e ka informuar shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës me angazhimin e Prokurorit të Shtetit në funksion të forcimit të sundimit të ligjit, përkushtimin institucional në respektimin e të drejtave të njeriut, me theks të veçantë në mbrojtjen e viktimave të krimit dhe trajtimin me prioritet të rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore.
Të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar për modalitetet e bashkëpunimit në mes të institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe Zyrës së Këshillit të Evropës në projektet dhe fushat që kanë të bëjnë me parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, adresimin e të gjeturave dhe rekomandimeve që dalin nga (GRETA), i cili është mekanizëm përgjegjës për vlerësimin e zbatimit e Konventës së Këshillit të Evropës për Masat kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, si dhe për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe teknike për prokurorët, policët, mbrojtësit e viktimave dhe punëtoret social në trajtimin e këtyre rasteve.
Në këtë kontekst, Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power, ka shprehur gatishmërinë e tij për të thelluar bashkëpunimin me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, duke i dhënë një vlerë të shtuar avancimit të kapaciteteve të institucioneve të drejtësisë në luftimin sa më efikas të rasteve që kanë të bëjnë me trafikimin e qenieve njerëzore.
Në fund Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka falënderuar Shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power, për vizitën dhe interesimin, me ç’rast ka deklaruar se njohin mirë vlerën e bashkëpunimit edhe në të kaluarën me Zyrën e Këshillit të Evropës si dhe mirëpresin mundësinë e thellimit të këtij bashkëpunimi ndër-institucional edhe në të ardhmen.