Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, thotë se institucioni që e udhëheqë ka treguar sukses në luftën kundër korrupsionit.
“Rezultatet e punës tonë flasin se akuzat ndaj Prokurorisë së Shtetit janë retorikë e forumeve të ndryshme”.
Lumezi në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), ai e ka përmendur edhe një fakt që sipas tij dëshmon përkushtimin e tyre për ta luftuar korrupsionin.
“Një pjesë e madhe e kallëzimeve penale janë nga qytetarët. Kjo e dëshmon se është duke u rritur besueshmëria në Prokurorinë e Shtetit. Qytetarët janë aleatet tonë” , ka thënë ai.
Lumezi pas raportimit të kryetarit të komisionit mbikëqyrës për zbatimin e planit strategjik për luftimin e korrupsionit, Haxhi Dërguti, po i gëzohet edhe faktit që mbi 49 për qind e kallëzimeve penale nga Policia e Kosovës që procedohen në prokurori hedhen poshtë.
“Jam krenarë me prokuroret për këtë për shkak se kjo dëshmon që prokuroret nuk ngrisin aktakuza pa fakte”, ka thënë ai.
Kosova ka kthyer vetëm 28 mijë euro nga pasuria e fituar përmes veprave penale
Para Këshillit Prokurorial të Kosovës ka raportuar Koordinatori kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike, Shqipdon Fazliu.
Ai ka paraqitur shifrat e pasurisë së sekuestruar dhe pasurisë së konfiskuar me vendim të formës së prerë të gjykatës. Prej muajit korrik deri në muajin shtator është ngrirë pasuri në vlerë mbi 300 mijë euro, raporton Koha Ditore.
Nga pasuria e fituar përmes veprave penale, Kosova këtë vit ka kthyer vetëm 28 mijë euro.
“Nuk është ndonjë vlerë e madhe megjithatë është rast për të cilat kanë përfunduar të gjitha procedurat në gjykatë”, ka thënë Fazliu.