Lumir Abdixhiku e pranon ftesën për takim me Kryeministrin Kurti

Prishtinë | 21 Maj 2021 | 12:22 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin me kryeministrin Albin Kurti. Abdixhiku në një përgjigje për Gazetën Express tha se do të marrë pjesë në takimet e thirrur nga kreu i qeverisë me kryetarët e subjekteve opozitare.

Kryeministri Albin Kurti dje u ka dërguar ftesë për takime tre liderëve të subjekteve opozitare.

Ramush Haradinaj i AAK-së e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin me Kurtin, teksa Enver Hoxhaj i PDK-së nuk është deklaruar ende.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i tha Gazetës Express se do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Kurti.

“Po do të marr pjesë”, tha Abdixhiku.

Sipas zyres së kryeministrit, takimet planifikohet të mbahen gjatë fillimit të javës së ardhshme, sipas orareve të përshtatshme për të gjitha palët, dhe do të jenë në shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës.

Një nga çështjet kyçe që pritet të diskutohet me liderët e partive opozitare pritet të jetë edhe procesi i dialogut me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në mesin e qershorit do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq ku do të diskutohet rreth mënyrës se si të ecet tutje me dialogun mes dy vendeve. Duke folur pas një takimi joformal në Bruksel me liderët e Ballkanit Perëndimor, Kurti tha se ai dëshiron të ketë një dialog të përgatitur mirë dhe se përfundimi i tij duhet të jetë njohja reciproke mes dy shteteve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme