Kryetari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur për ish-kryetarin e partisë, Isa Mustafa pas zgjedhjeve të brendshme që u mbajtën të dielën në LDK.
Abdixhiku në Pressing të T7 e ka falenderuar Mustafën që nuk ka interferuar në procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të partisë.
Ai tha se Mustafa ka insistuar që të ketë organe që e organizojnë Kuvendin duke e lënë procesin tërësisht të lirë.
“Të gjitha kanë qenë në një vijë të rregullt, pa interferime. E falenderoj edhe kryetarin Mustafa që s’ka interferu në këtë process dhe e ka lënë tërësisht të lirë. Ajo çfarë ka bërë si kryetar I dorëhequr ka qenë që të organizojë Kuvendin sepse i takon. Ai ka insistuar që të ketë organe që e bjënë një gjë të tillë por gjithçka ka qenë mbarë e mirë”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se me kundërkandidatët e tij ka pasur takime të vazhdueshme dhe janë marrë vesh që pavarësisht rezultatit të jenë bashkë në të ardhmen e partisë.
“Në të njejtën kohë kemi pasur takime me të rregullta kundërkandidatët. Jemi marrë vesh që të kemi një marrëveshje xhentelmenësh ku nuk sulmohemi njëri me tjetrin. Ne jemi miq megjithatë dhe jemi zotuar që pavarësisht rezultatit te jemi bashkë në të ardhmen e kësaj partie”, tha Abdixhiku.