Shefja e Grupit Parlamentare e LDK-së, Jehona Lushaku ka thënë se për aq kohë sa nuk ka emra konsensual për president dhe pa nëj marrëveshje politike, atëherë nuk marrin pjesë në seancë, raporton Ekonomia Online.
“Për aq kohë sa emrat nuk janë konsensual dhe nuk janë dakorduar me një marrëveshje politike, ne nuk marrim pjesë”, tha ajo në konferencë për media.
Ajo e rezervuar u tregua edhe kur u pyet se a do ta kandidonte LDK Osmanin për presidente.
“Ne do ta kishim kandidatin tonë me nënshkrimet tona, po të kishim më shumë deputetë. Ne nuk mund të kandidojmë kandidat të tjerë. Ata kanë 66 deputetë dhe mund të paraqesin dy kandidatë”, nënvizoi ajo.
Tutje ajo tha se në takime me Kurtin që ka pasë kryetari i tyre Lumir Abdixhiku, nuk ka pasë emra të përveçëm.
“Emra të përveçëm nuk janë diskutuar, për aq sa jam informuar, dhe nuk dua të jap hipotetikisht situata. Ne do ta shqyrtojmë kandidaturën dhe do të marrim qëndrim se cila do të jetë sjellja jonë brenda seancës, por meqë s’kemi pasur zyrtarisht emra, nuk mund të flasim më konkretisht” , tha ajo.
Por ajo ka theksuar se nuk janë për bojkot, kur u pyet nëse qëndrojnë në sallë ose jo.
“Ne nuk do të shkaktojmë bojkot, obligimet dhe përgjegjësitë e secilit deputetë dihen botërisht. Ne do të jemi në suazë të të drejtave dhe përgjegjësive tona edhe me sjelljen tonë politike. Ne do të kemi arsye gjithmonë arsye për një sjelle. Do ta marrim vendimin më të mirë që i atribuohet qytetarëve tanë. Definimin e sjelljes sonë do ta bëjmë dhe do ta shihni ju aty, varet shumë nga seanca, mënyra, kandidatë dhe përkrahje që ne ja japim një kandidaturë apo jo”, theksoi ajo.
