Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Mërgim Lushtaku në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se kanë vija të kuqe për fenomene të caktuara negative për vendin, mirëpo jo për partitë politike.
Madje, ai tha se po synojmë vendin e parë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Partia Demokratike e Kosovës e ka ruajtur një politikë e cila ka qenë kundër vijave të kuqe. Ne besojmë që kemi vija të kuqe ndaj fenomeneve të caktuara, fenomeneve negative për vendin dhe prandaj ne asnjëherë nuk kemi vendosur vija të kuqe. Në synojmë vendin e parë dhe do ta arrijmë vendin e pare dhe 14 shkurti do të jetë fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës”.
Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është e gjithë kombit dhe çdo votë për PDK-në është në mbrojtje të vlerave të luftës dhe votë për ish-presidentin Hashim Thaçin dhe ish-kreun e kësaj partie Kadri Veselin.
Andaj, Lushtaku theksoi se çdo mbështetje për PDK-në e ka edhe peshën historike ndaj UÇK-së, raporton EO.
“Ne Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e kemi parë të gjithë njëjtë. Të gjithë anëtarët e saj kanë qenë kontribuues në luftën e fundit duke nisur nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati”.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është e gjithë kombit, por në aspektin e saj që ne besojmë që çdo votë për PDK-në është edhe mbrojtje e vlerave të luftës dhe votë për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin në këtë aspekt sepse e dimë që vlerat e UÇK-së kur kishte ish-kryeministri Kurti në kabinetin e tij janë njollosur këto vlera dhe le që nuk i ka shkarkuar Albin Kurti Shkëlzen Gashin si këshilltar të tij por e ka liruar pas një presioni të madh publik të qytetarëve duke e respektuar mendimin e tij kritik siç ka thënë ai”.
“Prandaj çdo mbështetje për PDK-në e ka edhe peshën historike që e ka edhe mbështetjen ndaj UÇK-së edhe ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Prandaj kemi parë që është një mobilizim i madh të qytetarëve të cilët dëshirojnë të respektojnë dhe tregojnë një mesazh edhe partive politike po edhe mesazh botës që ne pavarësisht burrat më të mirë i kemi në Hagë padrejtësisht dhe po gjykohet liria jonë ne e kemi mesazhin tonë që ne do t’i mbështesim ata kudo që janë dhe ata do të vijnë më të fuqishëm në Kosovës”.