Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se me Ligjin për Zyrtarë Publikë është duke e kapur shtetin, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, kryeministri Kurti ka për qëllim që të nënshtrojë dhe të degradojë një sistem policore dhe autoritar me Ligjin për Paga dhe atë për Zyrtarë Publikë.
“Partia në pushtet e udhëhequr nga Zoti Kurti e ka për qëllim që të degradojë, të nënshtrojë dhe të krijojë një sistem policor apo autoritar, çfarë dinë vetëm Albin Kurti me këto dy ligje, sepse kemi parë që me Ligjin për Zyrtarë të Lartë në veçanti është duke munduar dhe tashmë me votimin e këtij ligji po e kap më të vërtetë shtetin”, u shpreh Lushtaku.
Ai shtoi se ka pasur reagime nga Zyra e BE-së dhe organizata që merret më administratën publike dhe se kanë ardhur si pasojë e rrezikut të meritokracisë dhe korrupsionit të lartë.
“ne e dimë shumë mirë që kemi pasur reagime nga Zyra e BE-se, kemi pasur reagime nga Sigma, organizatë e cila është përgjegjëse për reformën e administratës publike dhe në Bashkimin Evropian dhe këto reagime pikërisht kanë ardhur për shkak se po rrezikohet meritokracia po rrezikohet që të ketë korrupsion më të lartë ndonjëherë me emërimin politik të këtyre pozitave”, theksoi Lushtaku.
Të enjten është miratuar Ligji për Paga dhe Ligji për Zyrtarët Publikë.