Lushtaku e Mustafa, sot udhëtojnë drejt Hagës

Prishtinë | 13 Jan 2019 | 09:25 | Nga Ekonomia Online

Komandantët e Ushtrisë Çlirimtare (UÇK), Sami Lushtaku e Rrustem Mustafa – Remi, ju janë përgjigjur vullnetarisht ftesave të Hagës dhe sot do të udhëtojnë për në Gjykatën Speciale, transmeton Gazeta Metro.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe avokati, Arianit Koci, i cili mbrëmë ka bërë të ditur se do të udhëtojë bashkë me ish-komandantin e zonës së Drenicës dhe atë të Llapit.

‘’Po nesër nisemi unë, si avokat i Sami Lushtakut dhe Rrustem Mustafës. Do të udhëtojmë me linjë të rregullt. Nuk ka ndonjë aeroplan special për të ftuarit, këtë e kam demantuar që ka fillimi. Ne do të udhëtojmë me linjë të rregullt”, ka thënë Koci.

Sidoqoftë, Lushtaku e Mustafa janë dy komandantët e parë që do të përballen me pyetjet e prokurorëve ndërkombëtarë.

Ndërsa gjatë ditëve në vijim, për në Hagë pritet të udhëtojnë edhe ish-komandantë e ushtarë të tjerë të UÇK’së, të cilët janë ftuar nga Gjykata Speciale.

Në mesin e të ftuarëve në Hagë janë edhe Sylejman Selimi, Remzi Shala, Sokol Dobruna, Nazim Mehmeti e disa të tjerë.

Në gusht të vitit 2015, deputetët e Kuvendit të Kosovës i thanë ‘Po’ Gjykatës Speciale.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, ata votuan ndryshimet kushtetuese të cilat i hapën rrugë themelimit të kësaj gjykate, e cila u kërkua nga bashkësia ndërkombëtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme